Liga “Agim Ramadani” mëson çerekfinalistët e Kupës
(2L ONLINE) – Kanë startuar ndeshjet e Kupës në Ligën “Agim Ramadani” këtë vikend. Skuadrat janë futur drejt një objektivi të radhës, për ta fituar edhe trofeun tjetër të ligës. Ndeshjet ishin mjaft cilësore dhe dramatike, çka bëri që edhe shikuesit të ishin në numër më të madh këtë vikend në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.
Skuadra lidere e ligës, The Living Room ka kaluar tutje drejt çerekfinales pasi ka mposhtur Besin në një ndeshje mjaft interesante. Djemtë e Qytetit kanë kryer detyrën përballë Autoshkollës Arti, siç ka bërë edhe Las Vegas ndaj Karadakut. Në ndeshjen tjetër të ditës së diel, MobiCasa ka mposhtur Bujanën për të marrë biletën e çerekfinales.
Katana ka shkaktuar befasi të dorës së parë, pasi ka eliminuar skuadrën pretendente Vëllezërit Aliu, madje bindshëm. Dobërqani ka shfaqur formë krejtësisht tjetër në ndeshje të Kupës ndaj Dalisë duke e mposhtur kështu për tu kualifikuar tutje. Eurolloto ka mposhtur Policinë vetëm pas ekzekutimit të penaltive njësoj sikurse Verbica skuadrën e FSK-së.
Për çiftet çerekfinaliste do të hidhet shorti në ditët në vazhdim.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/






