DYLON

Lideri i Ri i LDK-së!

Lideri i Ri i LDK-së!
Avatar photo Redaksia

Vetëm pak ditë na ndajnë nga kuvendi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe ajo që pritet të ndodhë në këtë kuvend nuk është me rendësi vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën dhe ecjen politike të vendit tonë.

Shkruan: Faton Bislimi

Siç dihet, ky kuvend do të zgjedhë edhe liderin e ri të LDK-së, i cili do të bartë mbi supe barrën e kthimit të shpresës politike tek Kosovarët. Lideri i ri i LDK-së do të bartë edhe përgjegjësinë për kurorëzimin e përkrahjes publike në rritje ndaj LDK-së me votë për të dhe për krijimin e qeverisë së re të vendit nën udhëheqjen e LDK-së.

EkoHigjiena

E sfidat që e presin vendin në të ardhmen nuk janë aspak të vogla. Kjo do të thotë, njëkohësisht, se sfidat që e presin liderin e ri të LDK-së, janë po ashtu mjaftë serioze.

LDK si parti institucionaliste dhe me një histori vlerash politike që kanë dëshmuar pjekuri dhe emancipim politik në vazhdimësi, bartë me vete edhe trashëgiminë e kulturës politike dhe veprimit politik të Presidentit Historik të Kosovës dhe liderit historik të vet LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova.

Andaj, kuvendarët e LDK-së që do të përcaktojnë liderin e ri të partisë, njëkohësisht, përmes tij do t’i japin kahje edhe politikës së vendit për të ardhmen e afërt. Barra që bije mbi ta nuk është e lehtë. Delegatët duhet të shohin kuvendin zgjedhor në fjalë përmes prizmës së bagazhit politik e kombëtar që bartë LDK si subjekt politik por edhe përmes vizionit që duhet të ketë lideri i ri ashtu që LDK të luaj rolin e vet vendimtar për të ardhmen e vendit.

Në këtë kontekst, janë përfolur e përfolen edhe sot, disa emra për personin që do duhej të merrte timonin e LDK-së. Secili prej tyre është meritor në një mënyrë ose mënyrën tjetër të vlerësimit. Por, ka një që më së miri përmbushë dëshmueshëm atributet që lideri i ri i LDK-së duhet të ketë, në kuadër të përgjegjësive që e presin dhe viz-a-vi bagazhit politik të vet LDK-së.

Tani që jemi në dekadën e dytë të pavarësisë së Kosovës dhe të shkuarjes në amshim të Presidentit Rugova, filozofia politike e LDK-së gjendet në një stad të zhvillimit të brendshëm që kërkon pragmatizëm politik modern të bazuar në rugovizëm. Shumë flasin për rugovizmin, por pak e kuptojnë atë, e edhe më pak dijnë ta implementojnë atë si teori politike në veprimet e tyre ose të paktën në mendimet e tyre politike. Pragmatizmi politik modern i bazuar në rugovizëm që i duhet sot LDK-së por edhe Kosovës është asgjë më shumë se post-rugovizëm. Post-rugovizmi, pos që bazohet në rugovizëm, merr për sipër edhe vlerat e dëshmuara lideriste, ndërlidhjen e gjeneratave, kulturën politike paqedashëse, dhe kështu shpije përpara jo vetëm LDK-në por edhe politikën kosovare në përgjithësi. Andaj, ky emancipim politik i bije hise liderit të ri të LDK-së.

Pra, del që lideri i ri i LDK-së, pos që duhet të jetë një rugovist në aspektin e veprimit politik, ai po ashtu duhet të jetë një vizionar post-rugovist në aspektin e ndërtimit të lidershipit të ri të partisë; dikush që bartë përvoja të drejtpërdrejta në pozita udhëheqëse të politikbërjes të besuara nga vet Presidenti Rugova; dikush që në bashkëpunim me Presidentin Rugova ka ndërtuar miqësi dhe rrjet përkrahës për vendin nëpër botë (veçanërisht në SHBA e Evropë); dikush që mbi supe ka bartë përgjegjësi jo të lehta të negocimit për çështje kyçe të procesit shtetndërtues të Kosovës; dikush që nga përvoja politike ka mësuar më së miri se si kthehet simpatia politike e masës në votë masive; dikush që sa here i është nënshtruar besimit të qytetarëve, e ka fituar atë; dikush që ka rikthyer LDK-në fuqishëm në parti të pare e fituese; dikush që ka ndërtuar ura bashkëpunimi dhe i ka respektuar oponentët politik në vazhdimësi për të mirën madhore të vendit; dikush që vlerësohet lartë nga aleatët esencial të Kosovës – miqtë tanë në Washington e Bruksel; dikush që në ambicien e tij për të qenë i pari gjithherë lë hapësirë për konsensus dhe mirëkuptim; dikush që i ka dhënë LDK-së gjithçka që ka mundur sa herë që i është kërkuar; dikush që me LDK-në, për LDK-në, dhe në LDK e ka familjen e vërtetë politike nga e cila, për të cilën, dhe me të cilën del sigurt fitimtar!

Lutfi Haziri e ka përvojën, kurajon, dhe vizionin që të jetë lideri i ardhshëm i LDK-së. Përvoja e tij institucionale në nivel qendror e lokal, fitoret e tij elektorale të përherëshme në secilat zgjedhje ku ka qenë kandidat qoftë në nivel lokal apo qëndror, marrëdhëniet e tij e të shkëlqyeshme me partnerët tanë ndërkombëtar, mirëbesimi dhe respekti ndaj kolegëve si në parti ashtu edhe më gjerë në politikën kosovare, përkushtimi i tij vetëmohues për të mirën e partisë, si dhe gatishmëria e tij për të krijuar ekipin e fitoreve të reja për LDK-në, e bëjnë Lutën kandidatin më të dëshmuar për të marrë timonin e LDK-së në kuadër të vlerësimit të bazuar në prizmën e trashëgimisë politike të LDK-së dhe atributeve post-rugoviste të elaboruara në fillim.

Si lider i ri i LDK-së, Lutfi Haziri sjellë frymën e fitores tek elektorati i LDK-së; ndërlidhë brezin e themeluesve dhe aktivistëve të vjetër të LDK-së me atë më të riun; reflekton trashëgiminë politike të partisë, si dhe përçon vizionin e LDK-së si besëlidhje e atdheut. Me ekipin e duhur pranë vete, Luta e kthen LDK-në në alfa dhe omega të politikbërjes kosovare, në lokomotivë të proceseve zhvillimore socio-ekonomike, si dhe në partner të fuqishëm e të paluhatur të miqëve tanë ndërkombëtar, duke sjellë qeverisje të suksesshme për vendin, e cila, më në fund, do të duhej të kthente shpresën e humbur të popullit.

Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kosovës i duhet një LDK e suksesshme si kurrë më parë. E LDK-së, i duhet një lider i ri sic është Luta, që ruan stabilitetin dhe kohezionin brenda LDK-së, dhe që sjellë fitoren e shumëpritur të saj në zgjedhjet e ardhshme.

/Faton Bislimi ka qenë bartës i listës së LDK-së në Gjilan në zgjedhjet lokale të 2017, si dhe shef kabineti i Kryetarit të Komunës së Gjilanit nga Maji 2018. Aktualisht si “Team Joe Fellow”, ai është pjesë e fushatës së Joe Biden për President të SHBA-ve, si dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.