( Duke marrë si shkas, Ditën Botërore të Librit )
Shkruan: Sabit RRUSTEMI
/2L ONLINE/ – Ka mijëra vite që LIBRI është pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Për gjashtë mijë vite, dihet afërsisht. Për më shumë,presim rezultatet e gjetjeve dhe hulumtimeve, që mund të ndodhin dhe të shpërfaqen në ndërkohë.
Njeriu kishte nevojë për të komunikuar me të tjerët, edhe në kohën që po jetonte, edhe më pas, në kohët që do vinin. Një komunikim me brezat pasues, do thosha. Dhe, kjo dëshirë për të lënë gjurmë në kohë, e mësoi për të vijëzuar e shkruar nëpër gurë, drurë,papirusë, pergamenë … e deri te shpikja e letrës.
Njejtë si ne sot, pas sa mijëra vitesh që, falë një teknologjie moderne, komunikojmë dhe lëmë gjurmë në kohë dhe për brezat e rinj, përmes formave më të përsosura të komunikimit.
Por, miku më jetëgjatë apo edhe i vetmi që nuk vdiç deri në ditët e sotme, përkundër se përjetoi thuaja të gjitha katrahurat që i pësoi edhe njeriu, LIBRI, pas kaq mileniumesh, mbetet besniku më i madh i ekzistencës sonë. Një kronist i pazëshëm, i pandashëm prej trupit tonë që na futet xhepave, çantave dhe s’na shqitet prej duarsh, në çdo çast të kësaj jete, qoftë kur jemi duke udhëtuar, me tren, autobus po dhe avion…apo duke u çlodhur, në shtëpi, kopsht,plazh… E, të mos flasim për librat me të cilët bashkëjetojmë nga çerdhet, parashkolloret e deri te universitetet.
Domosdo që kjo ecje e pandashme nëpër kohë e librit me njeriun, me breza e breza njerëzish që erdhën e shkuan ,duke ju hapur udhë ardhjeve të reja, së cilave gjithnjë ju bashkëngjitet për të bashkëecur në kohë, do duhej ta kishte dhe Ditën e Tij, ditën kur do t’i përulemi e do ta nderojmë si më të mirin mik të jetës.
Dhe kjo Ditë, përmes një vendimi nga ana e UNESKO-s është caktuar. Nga 15 Nëntori i vitit 1995, 23 prilli njihet si Dita Botërore e Librit.
Përcaktimin për këtë datë e kanë lehtësuar disa manifestime për librin në Spanjë, që janë zhvilluar në përkushtim për njërën nga penat e shquara të letërsisë botërore, Servanetesin, autorin e “Don Kishotit. Spanjollëtme vite të tëra në këtë ditë, atij që blente një libër ia dhuronin dhe një trëndafil. Kjo sa për ta nxitur blerjen dhe leximin e librit por, edhe për ta mbajtur në mendje datën e 23 prillit. Megjithëse, kur u vendos 23 prilli si Ditë Botërore e Librit, u mor parasysh se, po në këtë datë ka vdekur dhe Shekspiri, Garcilaso de la Vega … duke e ndërlidhur këtë datë edhe me lindjen e disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë si Maurice Druon, Vlladimir Nobakov etj.
Nëpër shtete të ndryshme të botës, kjo Ditë natyrisht që shënohet në forma të ndryshme,ku, në epiqendër është libri, për të cilin bëhen lloj – lloj organizimesh.
Viteve të fundit, edhe në Kosovë, sado që në mënyrë fragmentare, jo dhe aq të organizuar dhe nga ndonjë institucion përkatës a autoritar, shënohet kjo ditë. Shënime simbolike, do thosha. Kujtohet ndonjë asociacion letrar që nga institucionet trajtohet si OJQ, dhe, ndërmerr ndonjë veprimtari librare.
II.
Si do duhej ta prisnim Ditën Botërore të Librit, në Kosovë, shtrohet pyetja.
Marrë parasysh, këtë kohë tranzicioni nëpër të cilin po kalojmë gati dy dekada prej mbarimit të luftës, as libri nuk ka mundur ta evitojë krizën, të cilën është duke e përjetuar. Qoftë sa i përket vlerës si libër, mungesës së inetersimit për blerje dhe, veçmas mungesës së lexuesit të rregullt, mungesës së një mbështetjeje të duhur insitucionale e, deri te afirmimi i vlerave të mirëfillta letrare që paraqet libri i cili botohet sot në Kosovë. E, kështu, organizimi i kësaj Dite do duhej të ishte më gjithëpërfshirës dhe, fjalën kryesore të mbështetjes dhe afirmimit të librit do duhej ta kishin institucionet përkatëse, qoftë nga niveli qeveritar ( qendror e lokal), pa i përjashtuar aspak edhe asociacionet letrare në nive vendi .Kam parasysh disa asociacione shkrimtarësh që i kemi sot, pastaj Shoqatën e Botuesve të librit etj.
Fjala vjen, Ministria e Arsimit, mund ta shfrytëzojë këtë ditë për t’i furnizuar bibliotekat shkollore me botime të reja, gjë që nuk po e bën. Ministria e kulturës, do të mund ta shpërblente librin më të shitur apo më të lexuar në Kosovë, përmes një matësi paraprak. Asociacionet letrare dhe botuese do të mund të bënin një fushatë ndërgjegjësimi për librin dhe, ta kthenin më tepër vëmendjen kah vlerat letrare – artistike që ofron një libër i mirëfilltë letrar, sot. Përmes krijimit të një rrjeti të kritikëve autoritativ, do të mund të na tregonin se, cili libër i botuar, është i mirë, cili është interesant dhe cili nuk bën fare për ta lexuar. Sepse në këtë mish – mash vlerash e jo vlerash që janë krijuar me botime pa kritere e, botime shkel e shko, natyrisht që është çorientuar edhe lexuesi i mirë . E, mos të flasim për lexuesit e rinj.
Edhe rrjeti i bibliotekave të Kosovës, lexuesin e vitit që e shpallin apo e kanë në evidencat e tyre, mund ta shpërblejnë po këtë ditë. Siç mund t’i shpërblejnë edhe koleksionuesit e librave dhe bibliotekat më të pasura e më të mirëmbajtura familjare.
Duarkryq para kësaj dite, nuk do duhej të rrinin as universitetet tona publike, që sot shyqyr i kemi me bollëk por, që asnjë veprimtari për librin nuk po dëgjoj se e kanë planifikuar apo mbajtur deri më sot, në këtë Ditë dhe për këtë Ditë.
III
Ka edhe punë të tjera që duhet t’i bëjmë në këtë ditë… si për shembull; do duhej kujtuar edhe rrugëtimin e librit shqip nëpër kohë, nga MESHARI i Buzukut e këndej. Mbase, duhet shprushur edhe më herët, sepse nuk besoj që “Meshari” ishte i vetmi libër shqip, atë kohë e më herët.
Kohëve të fundit përmendet dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, siç thuhet, i vitit 1210… Po,përveç nismëtarëve të shkrimti dhe të botimit të librit shqip, do duhej t’ ju ktheheshim edhe shumë dorëshkrimeve të anatemuara apo edhe të harruara, nëpër kohë, nga njerëz dhe emra të shquar të letërsisë. Apo dhe emra që premtonin shumë por që rrethanat e kohës ua ndalën rritën.
Me një fjalë,punë ka. Shpresoj se kjo Ditë Botërore e Librit, viteve që do vijnë, të na gjejnë më të kthjellët se sot. Sepse, libri është memoria e këtij Planeti . E, edhe e jona.
Jemi me fat si popull, pavarësisht mungesave të shumta, sepse nuk u përmbushën ëndrrat e fçinjëve grabitçarë e shkatërrues; të na lënë edhe pa libra, siç deshën të na lënë edhe pa atdhe e pa shtet.
Ta shkruajmë, ta ruajmë, ta lexojmë e ta afirmojmë librin e mirë, sepse ai libër jemi ne …/2L ONLINE/