Libri “Ëndërr e gjatë” i Zymber Beshticës, pasqyrim i rrugës së gjatë për liri

Libri “Ëndërr e gjatë” i Zymber Beshticës, pasqyrim i rrugës së gjatë për liri

Në Bibliotekën “Fan S.Noli” në Gjilan, është bërë promovimi i librit poetik: “Ëndërr e gjatë” i autorit Zymber Beshtica, për të cilën folën, Mehmetali Rexhepi, Xheladin Mjeku dhe Shefik Shkodra.

Para të pranishmëve të shumtë, dashamirë të artit të fjalës, adhurues të poezisë, për librin u tha se përmes poezive të ndara në dhjetë cikle pasqyrohen epoka të ndryshme, rruga e gjatë e lirisë, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Recensenti i këtij Libri, kritiku Mehmetali Rexhepi tha se ideja artistike e poezive në kuadër të librit “Ëndrra e gjatë”, është ndërtuar asisoj që lexuesin të mos e shpije në labirinte simbolike, metaforike ose lidhjes së ndërdymes me botën fantastike, me enigmat e jetës e të universit.

Rexhepi tha se poeti Beshtica u përcaktua t’i forcojë lidhjet shpirtërore jetike me rrënjët e truallit, në përpjekje për të mbajtur në këmbë legjendën e zanafillës.

“Motivet e poezisë së tij rikthehen në lashtësi për t’i zbërthyer “apokrifet”, ose si thotë autori “ Kripto grafitë e gjuhës së lozes sonë”, ka thënë Rexhepi, transmeton 2LONLINE.com.

Ai tha se gjatë leximit të këtij libri, nga tërësia e faqeve të tij, nxjerrim konstatimin se idetë poetike, autori i pasqyron dhe i shprehë drejtpërsëdrejti.

Xheladin Mjeku, referuesi tjetër është ndalur te “Ndjeshmëria tematike si opsion vlerësimi“. Ai ka thënë se autori Zymber Beshtica përmes këtij libri ka ndërtuar një bazament të mirë duke e ngritur një parodi kundruall ngjarjeve dhe veprimeve të shoqërisë transitore, me qëllimet më të mira në identifikimet dhe përballjen e pareshtur me deformimet e ndryshimit dhe yshtjet lakmitare të njeriut së kohës.

Mjeku ka thënë se në këto poezi të librit “Ëndërr e gjatë”, kemi edhe motive dhe ngjarje të prekura me kujdes, duke prekur në palcën e tyre që shpërfaqin vlera dhe rëndësinë e shtjellimit si pasqyrime reale të pikvështrimit tematik.

Sipas tij, “Ëndrra e gjatë”, si simbolik e shtjellimit të ngjarjeve justifikohet brenda mundësive të kapjes së temave sporadike, por nganjëherë gjurmon edhe në brendinë e veprimeve të individit si kryepersonazh letrar dhe subjekt trajtimi njëkohësisht.

“E ndërtuar mbi dhjetë cikle, kjo lëndë poetike shpërfaqë guximin, mllefin e akumuluar gjatë, të autorit, i cili për asnjë qastë nuk ngurron t’i shpreh katërçipërisht si veprime të papranueshme, si vese të këqija që nuk i bëjnë nderë asnjë shoqërie, aq më pak një kohe plotë sfida e përpjekje për të gjetur shtegun e ndërtimit të ardhmërisë”, ka thënë Mjeku, transmeton 2LONLINE.com.

Shefik, Shkodra, redaktor i librit “Ëndërr e gjatë”, ka rikujtuar copëza të jetës së autorit, duke vënë në pah angazhimet e tija në krijimtarinë letrare, por edhe kontributin e pamohueshëm në zhvillimin kulturor, në periudhat e ndryshme kohore.

Ndërsa duke iu referuar librit në fjalë, ai ka shtuar se kjo tufë poezish përshkon një kohë historike që përfshin tri etapa, nga ëmbëlsi e rinisë, mosha e pjekurisë dhe koha pas çlirimit dhe pavarësisë ë vendit, periudha këto të stolisura me shprehje poetike.

Shkodra shtoi se Libri “Ëndërr e gjatë”, nuk është e tipit të vargut hermetik, por ka mjaftë figura stilistike, krahasime, personifikime, metafora etj.

E, autori i këtij libri, Zymber Beshtica i ka falënderuar të gjithë të pranishmit që ndanë kohën për të qenë të pranishëm në përurimin e librit të tij si dhe ka vlerësuar referuesit për fjalën e tyre.

Libri poetik “Ëndërr e gjatë”, përmban 76 poezi, të ndara në dhjetë cikle ku secili prej cikleve sugjeron motive dhe atmosferë kahesh relativisht përcaktuese.

KOMENTE