Sipas drejtorit të departamentit për arsim në Komunën e Bujanocit, Driton Rexhepi problematika e mungesës së teksteve në gjuhën shqipe në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës ende qëndron një çështje e pa zgjidhur nga ana Ministrisë së Arsimit të Serbisë.
“Modeli i propozuar nga kryeministri Rama, ishte që nxënësit e Luginës së Preshevës të mësojnë me libra nga Oxfordi dhe Cambridge që tashmë i posedon Tirana në gjuhën shqipe të cilat do t’i dërgohen Serbisë që t’i përdorin nxënësit shqiptarë. Kjo për ne dukej shpresëdhënës dhe se pritshmëria ka qenë më e madhe nga ana jonë mirëpo ja që sot e kësaj dite ende nuk kemi një përgjigje zyrtare rreth çështjes së teksteve mësimore në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës”, theksoi Rexhepi gjatë një interviste për Portalin Titulli.com.
Ai u shpreh se që nga viti 1991 shqiptarët janë diskriminuar rreth përdorimit të teksteve në gjuhën shqipe qofshin ato nga Kosova apo edhe nga Shqipëria.
“Përkundër tentativave dhe përpjekjeve nga ana e institucioneve qofshin komunale dhe së fundmi edhe nga ana e KNSH-së kjo çështje ende nuk ka marrë asnjë përgjigje prej së cilës po dëmtohen mjaft nxënësit e shkollave tona nga përkthimet jo adekuate dhe librat e përkthyera”, deklaroi Rexhepi.
Sipas tij pritet një përgjigje nga Ministria e Arsimit të Serbisë si dhe këmbëngulja e zgjidhja nga ana e qeverisë së Shqipërisë e Kosovës ku kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së fundit në Serbi e ka diskutuar këtë çështje me institucionet e Serbisë.
Rexhepi tha se ende mungon përgjigja nga Ministria e Arsimit të Serbisë.
BURIMI: Titulli.com