Përfaqësues të shumicës së Institucioneve të Kosovës janë takuar sot për të diskutuar për përgatitjet që po bëhen për pritjen e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
Në hapjen e takimit me përfaqësues të grupeve punuese teknike për procesin e liberalizimit të vizave nga të gjitha institucionet përkatëse, zëvendësministri i Integrimit Evropian, z.Ramadan Ilazi përsëriti se liberalizimi i vizave është prioritet kombëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe si i tillë tha se nënkupton përgjegjësi shtesë për të gjitha institucionet që të sigurohet përmbushje e detyrave të shtëpisë.
“Falënderoj institucionet e Kosovës për intensifikimin e përgatitjeve si dhe Komisionin Evropian që është përgjigjur shpejt raportit të 5 qershorit të Republikës së Kosovës duke mbledhur një ekip të ekspertëve jashtëzakonisht të përgatitur mirë, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë në datat 13-17 korrik”, ka thënë z.Ilazi.
Në përputhje me blloqet përkatëse të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave potencoi se janë formuar për secilin bllok grupet punuese dhe janë caktuar kryesuesit e këtyre grupeve.
Po ashtu zëvendësministri Ilazi, vlerësoi se rëndësia e misioni vlerësues të KE-së është fundamentale sepse raporti përfundimtar që do të hartohet pas kësaj vizite do të hap rrugë për hapat e ardhshëm për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.