(Përkatësisht përshtypjet pas leximit të librit me tregime “Përroi i Kanjushës” i Hetem Arifit)
Nga: Hysen KËQIKU
Në vend të hyrjes:
Shtrirja e eksperiencës
Krijimtaria letrare shqipe, mbrenda këtyre vjetëve në liri, ka përvetësuar mjaftë eksperienca përgjithësuese, dhe zëra respektues në trajtimin e ndjenjave të thella për prurje të reja e spikatje shpirtërore të motiveve të ndryshme si ato patriotike, sociale, të dashurisë, natyrës dhe absolutes. Por ndoshta asnjë me forcën dhe dinamikën e teprimit që gjithsesi, si e tillë, kurajon të përballojë problemin e lumturisë në gjithë tërësinë krijuese, të emrave, me të cilët jemi miqësuar në saje të miqësisë që ofrojnë veprat e tyre të gjinive të ndryshme letrare, duke na e servuar nevojën e papërmbajtur për të lexuar diçka të re për t’i kaluar ndjesitë e një dite që të duket sikur nuk mbaron kurrë, dëshirën për t’u çliruar… e letërsia, posaçërisht ndonjë poezi apo edhe tregim i bukur në një rast të tillë të dhuron një fitore në vetëvete, një relaks dhe një shfryrje relaksuese.
Nuk mund të them se nuk më ngjau diçka e tillë kur lexova sërish krijimtarinë letrare të Hetem Arifit, me ndjenjat e shpërfaqura në relievin krijues dhe, në përpjekjen për kapjen e tërësisë krijuese të tij, të cilat përthekojnë nevojën emocionale të lexuesit duke na ofruar një fitore nga ndonjë zvetnim njëkohësisht duke na bindur se ato eksperienca janë të sajuara, të forcuara e sforcuara në prirjen e kapjeve të dukurive imagjinative, të cilat nuk janë të njëjta tek të gjithë krijuesit.
Kjo është kënaqësia që lexuesi e has aty këtu në larushinë krijuese gjithandej.
Për ta kompletuar tërësinë krijuese të cilitdo krijues duhet lexuar komplet krijimtarinë e tij sepse vetëm atëherë i ke krijuar vetes një botëkuptim të kompletuar për spikatjen e vlerave në vepra të shkruara.
Hetem Arifi që kur ishte nxënës u fut në botën imagjinative për të kalëruar me krahët e fantazisë bashkë me dhjetëra emra nderi që letërsisë shqipe i dhanë krahë të jetë në mesin e letërsive të zhvilluara të botës përreth nesh e më gjerë.
Veprat letrare të Hetem Arifit
Me veprën e tij “Tingujt e lirisë” vepër me tri drama “Kur arsimtari vonohet”, “Tingujt e lirisë” dhe “Jetojnë në zemra tona” i bëri hapat e parë për t’u futur me sukses në botën e krijimtarisë letrare, e cila dalëngadalë iu bë pjesë e jetës, pastaj përmbledhja me poezi për të rritur “Prilli i thyer” (1996) i dha vulën e suksesit në gjetjen e motiveve dhe realizimin e tyre me sukses. Vepra tjetër që regjistron suksesin e rradhës është përmbledhja me poezi për fëmijë “Dua shtet që nuk vret” duke u rreshtuar në krahun e humanitares në mbrojtje të njerëzimit për të jetuar secili në vendin e tij i lirë e në paqe.
Kurse ecjen e autorit nëpër shtigjet e jetës, mund ta lexoni në librin monografik “Mësuesi nëpër kohë” (vepër monografike, 2012)
Vepra më e re “Përroi i Kanjushës” tregime
Libri më i ri, i cili doli nga shtypi më 25 maj 2016 është përmbledhje me tregime e titulluar me një toponim i cili gjendet diku në vendlindjen e Hetemit në Ranatoc të Preshevës “Përroi i Kanjushës”, gjejnë vend njëri pas tjetrit 16 tregime: “Neca e pat mirë”, “Përroi i Kanjushës, “Kodra e Luleve”, “Lavdi!” “Qoftë e harruar ajo kohë”, “Takim i dhembshëm”, “Më ka marrë malli”, “Role aktori”, Një laps nga Zvicrra”. “Tinëzisht po vjen”, “Bisedova me detin”, “Rëndë shumë rëndë e përjetova kurbetin”, “Besa-besë”, “Besarti dhe Besarta duke lozur”, “ Nuk do të flej në shtrat derisa, ti biri im, të kthehesh” dhe “Nuk të kam harruar as nuk do të të harroj kurrë”, të cilët të kapur dorë për dore rradhisin një jetë kronologjike të personazhit kryesor Neca.
Tregimet, trajtojnë ngjarje që i kanë përjetuar personazhet e një moshe të fëmijëve të rritur, të peripetive të tyre, të vështirësive dhe pengesave të shumëta që u dilnin përpara si pengesë për (mos) realizimin e dëshirave dhe synimeve të personazheve fëmijë e dikur të rinjë.
Derdhja e prirjeve artistike
Në këtë libër, si mëngjesi që derdh vesën e kristaltë relievit të gjerë, autori derdh prirjen e të krijuarit të tregimit me të gjitha elementet që i kërkon ai për të qenë i kompletuar.
Krijuesit e letërsisë shqiptare e kanë lëruar tregimin edhe më heret duke dhënë shembuj të mirë të një rruge të sigurtë e të suksesshme në sajimin e tij.
Këtij shembulli, me tregimet e sipërpërmenduara i bashkangjitet edhe Hetem Arifi me vlera të mira dhe gjetje të motiveve që ruajnë ngjarje të së kaluarës e të sotmes.
Siç e dijmë, tregimi paraqet një ngjarje nga më të rëndësishmet nga jeta e personazhit, një ngjarje që nuk harrohet dhe që mbahet në mend, si një përjetim i mirë, i kënaqësisë që na e afron arti i të shkruarit, arti i njëmendt nga dora, prirja dhe aftësia e shkrimtarit.
“Përroi i Kanjushës”, spikatë rrëfime në veten e parë. Është një rikthim në të kaluarën që kryepersonazhi i ka përjetuar në ecjen e tij nëpër ngjarje të ndryshme, në të cilat paraqitet ballafaqimi i të mirës kundër të keqes.
Në të vërtetë, për sa e njof autorin e tregimeve të përmbledhura në këtë libër, e cila e plotëson një zbrazëtirë në letrat tona sepse tregimi është paksa deficitar në krahasim me të shkruarit e librave me poezi, është një autobiografi e një pjese të jetës së tij, kur tendencat e ideve të prapambetura, konzervative dhe qëllimkëqija, ishin ende në forcën e veprimit.
Dritarja e këtyre të këqijave hapet që në tregimin e parë “Neca e pati mirë”, ku bëhet fjalë për jetën e vështirë, e cila ruante tendencat e shtrirjes edhe më, në relievin e popullit të shtypur. Autori, përkatësisht personazhi kryesor Neca shpreh dilemën ta thotë apo të mos e thotë atë që e mbante në mend që nga fëmijëria e tij, kur kleri mysliman e ndalonte shkollimin e rregullt në shkollat e posa hapura, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Pengesa e shkollimit ndihmonte shtrirjen edhe më tutje të errësirës robëruese, nga e cila populli ynë ishte alivanos e që rrumbullakasohej me një shprehje popullore “ si thonë as të gjallë as të vdekur”. Kujt i konvenonte kjo!?, dihet mirëfilli dhe kush e ndihmonte këtë shtrirje të mjerimit dihet edhe se për kë punonin e kush i paguanate.
“Më mirë do të ishte të mos i mbaja në mend të gjitha ato që i lam pas, sepse më dhimbset vetja, me dhimbsen edhe shokët që bashkë me mua rrugëtonim këmbëzbathur për në shkollë. Me kmishë e tlina kërpi, nëpër borë e mot të lig.
Të uritur…
Kurrë se kemi ngopur barkun me bukë.
Atë na e merrte dërzhavaë1] në emër të një “teprice”. Po kujt i tepronte kur edhe ato pak të lashta që i merrnim nga toka, na e merrte dërrzhava, regjimi shfrytëzues që nuk dëshironte të na shihte mbi tokë të gjallë…”
Hetem Arifi, kështu si në këtë shembull paraqet zymtësinë e kohës me ligjet diskriminuese, nënçmuese, përbuzëse dhe mbi të gjitha gjenocidiale për t’i mobilizuar personazhet (pozitive) për t’iu kundërvënë e për të dalur nga ajo errësirë që ishte imponuar nga “edukata” dhe “mësimet” që shpërndanin krerët e besimit “islam” për t’ua lehtësuar pushtetarëve vazhdimin e mjerimit të shqiptarëve në kohën kur shtigjet për t’u shpërngulur ishin krahë e krah të hapur.
“Nëse keni pasuni shitne e mos e leni pa i dërgue djemt në mejtep, në shkollë të fesë. Tjetër ku nuk ban se asht haram, xhunah i madh. Do të digjeni në zjarrm të xhehnemit që asht 99 herë ma i nxet se zjarrmi i kësaj bote”…
Këtë përgjigje e merr Neca i vogël kur e luste babain që ta lejonte për ta vazhduar shkollën pas mbarimit të klasës së katërt, në fshatin e lindjes.
Ky tregim i përngjet një romance sepse përmbajtja e tij është e dhembshme, personazhi kryesor sfidon por në fund del fitues sepse, babai ia jep lejen e shkollimit birit të tij, përkundër kërcënimeve nga faktorë destruktiv.
Madhështia e tregimeve të këtij libri qëndron në faktin se Hetemi ngjarjet i vë në vendin ku jeton dhe i ushqen me legjendat që janë krijuar për vendin, ku ndodhin ngjarjet e vëna në tregim. Të këtij motivi janë “Përroi i Kanjushës” dhe Kodra e Luleve”, …
Përroi i Kanjushës merret si i shenjtë sepse thuhet që e kishin parë kanjushën duke u falur prandaj të gjithë ata që u binte rasti të kalonin atypari nuk përdornin fjalë të ndyta, as sharje, as marrje nëpër gojë siç ndodh nga disa. Fjala e dhënë ose besa që jepej në Përroin e Kanjushës duhej mbajtur sepse në të kundërtën ndëshkoheshin .
Personazhi i këtij tregimi Neca që moti kishte simpati ndaj Dijes, e donte dhe kishte dro t’ia shprehte dashurinë. Një ditë heret bashkë me rrezet e para të diellit i dërgoi bagëtinë për kullotë mu te Përroi i Kanjushës. Pak më vonë ia behu edhe Dija po jo poshtë në Përrua.
Neca vendosi ta thërras dhe Dija iu përgjigj thirrjes. Me gjithë bagëtinë zbriti te Neca për t’ia shprehur atë që ndjente për të.
“-Qe pra po ta them m’u këtu, ku, nuk guxon të gënjehet sepse siç e di edhe ti ky është vend i shenjtë. Dëgjo Dije, ka kohë që kam simpati ndaj teje, tani të dua dhe kam për të dashur për jetë e mot dhe, ta jap besën m’u në këtë vend se nëse t’i nuk e pranon dashurinë time të sinqertë, unë kurrë nuk do të martohem. Po deshe mos ma thuaj tani menjëherë, shko në shtëpi e mendohu mirë e mirë.”…
Pa shkuar në shtëpi fare, edhe dija me tërë bindjen dhe vetëdijen ia shprehu po të njejtën ndjenjë.
Rasti i një ngjarjeje të njëjtë, që për të gjallë të personazheve nuk realizohet e gjejmë te “Kodra e Luleve”. Dy të rinjtë e dashuruar kërkojnë leje prej prindërve për t’u realizuar fejesa e tyre. Në konsultim me hoxhën dhe priftin, se të rinjtë nuk ishin të një feje, nuk e marrin miratimin. Përkundër insistimit të priftit e hoxhës ata nuk e prishin besën që ia kishin dhënë njeri-tjetrit. Dalin nga shtëpia dhe futen në një mal të shpeshtë, për të mos i gjetur askush. Bëhen bashkë dhe nuk ndahen derisa vdesin nga etja e uria. Pas shumë vjetësh dikush i gjeti skeletat e tyre të lidhura fort në mes veti. Me që nuk mundën t’i ndanin, vendosën t’i fusin ashtu në një varr. Të gjitha therrat u thanë; në vend të tyre mbinë shumë lloje lulesh dhe njerëzia, atë vend filluan ta quanin Kodra e Luleve, Edhe sot e ka po atë emër.
Nënvizimet e pasleximit
Secili tregim i ka veçoritë e veta artistike të cilat e tërheqin lexuesin për t’i lexuar me vemendje e kurreshtje.
Motivet e ndryshme e shpien lexuesin prej ngjarjeje në ngjarje, prej rrëfimi në rrëfim, prej një vendi në një vend tjetër. Këtu kemi jetën baritore të bariut e bareshës. Simpatitë, e besën e dhënë. Realizimet dhe shqetësimet e mosrealizimeve, idetë përparimtare e ato konzervative, klerin e hoxhën me botëkuptimet e tyre për ta ruajtur bindjen edhe nëse shkon në dëm të banorëve. Ndalesat e lejimet për të kërkuar një jetë ndryshe nga ajo që ua kishte hangër shpirtin.
Në tregimet e këtij libri mos kërkoni tjetër gjuhë pos gjuhën e një mësuesi shembullor, pos rrëfimeve të një stili metodologjik e pedagogjik, pos kujdesit që ka mësuesi i mirë si për fëmijët e vet natyror, pos një dashurie për të kultivuar tek fëmijët shijen e estetikës, të të bukurës e të asaj që nga ai kujdes të dalin qytetarë të ndesruar që e vazhdojnë rrugën që ua trasoi mësuesi i tyre Hetem Arifi.
Botoi Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan
HETEM ARIFI