Libër i veçantë për fushën e sigurisë

Libër i veçantë për fushën e sigurisë

Libri “Siguria” i Fadil Kajtazit është libër i veçantë i llojit të vet. Në këtë fushë të hijeve e prapaskenave, të ndërskamsave e lojërave të pista që bëhen prapa kurrizit tonë, ne kemi fare pak literaturë të përkthyer, edhe më pak literaturë origjinale që merret e analizon veprimtarinë e shërbimeve informative.

Shkruan: Gani Mehmetaj

Zakonisht ata që janë marr me këtë veprimtari kanë mbet edhe më tutje me gojë të kyçur, ata që i kanë njohur gjërat sikur kanë spekuluar, ose në rastin më të keq nuk e kanë kultivuara kulturën e të shkruarit.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë me përvojë të gjatë edhe në terren në sigurinë civile e ushtarake, ka kohë që i trajton edhe në aspektin publicistikë rrjedhat e politikës e të diplomacisë ndërkombëtare në aspektin e sigurisë, apo sikurse thuhet trajton temat të cilat në mungesë të diplomacisë së përshtatshme kanë nis konfliktet e armatosura.

 

Mirëpo, këtyre konflikteve ose paralelisht me këto konflikte kanë vazhduar lojërat e prapaskenës, të spiunazhit e të kundërspiunazhit, të asaj që quhet spiunazh terreni, por edhe spiunazh në qarqet më të larta ushtarake e shtetërore.

Çështja e sigurisë së shtetit tonë të ri, është çështje me rëndësi. Jemi të rrezikuar nga disa shtete të cilat autori Fadil Kajtazi i ka identifikuar, mirëpo i ka lënë pa i identifikuar, ose mbase janë në proces të identifikimit.

Domosdo që në këtë libër ka gjëra të cilat ne nuk i dimë, ose nuk i kemi ditur, ndonjëherë na duken në kufintë e teorive të konspiracionit, por autori përpiqet të na bindi dhe na ka bindur se këto konspiracione janë konkrete, të kapshme dhe të rrezikshme, pra nuk janë në kufijtë e fantastikës.

Është çështje tjetër që për arsye të ndryshme nuk i ka thënë emrat konkrete, nuk i ka zbërthyer grupet që kanë vepruar e veprojnë në Kosovë, por që shërbimet tona informative të duhet t’i kenë parasysh.

Libri ka ilustrime, të dhëna e shënime që e plotësojnë. Kajtazi analizon e paraqet forcën ushtarake të Serbisë, armatën e spiujve të fshehtë në terren, të cilët veprojnë me zell si asnjëherë më parë.

Për të ilustruar teoritë dhe konstatimet për konspiracionin apo forcën e goditjes së shërbimeve sekrete, ai thërret në ndihmë përvojën historike të shërbimeve të mëdha, emrat e pesronaliteteve të njohura etj.

725 agjentë serbë në Kosovë, është një titull sa atraktiv aq edhe alarmues, që tregon për forcën dhe interesimin e Serbisë për të destabilizuar shtetin tonë të ri me metodat e veta, meqë ky shtet policoro-ushtarak edhe në të kaluarën edhe tash ka investuar dhe investon shumë në shërbimet e fshehta, veçmas përparësi e pati Kosovën e Shqipërinë.

Ndërkaq, ky numër është vetëm një shifër e zyrtare që dihen, sepse ata i paguan shteti serbë, ndërsa jetojnë e kanë profesione të tjera. Po sa njerëz të shërbimit sekrete serbe që punojnë në Kosovë e që ne nuk dimë, apo sa punojnë në Shqipëri që po ashtu nuk dihen?

Rekrutimi tradicional i spiuneve serbë është fenomen i njohur, atëherë kur spiunet rekrutohen nga babagjyshi të nipi. Dhe kështu ka nis qysh në fund të shekullit XIX, ka vazhduar në shekullin XX, për t’u forcuar në shekullin XXI. Pra serbët e rusët kanë disa breza spiunesh të rekrutuar që punojnë e veprojnë në shtetin tonë, për fatkeqësinë tonë.

Dosjet janë mënyrë tjetër e rekrutimit të spiuneve. Ndërkaq, dosjet e shqiptarëve të Kosovës nuk i kemi ne, i ka Serbia, mund ta kemi zhvatur a shkëputur aksidentalisht ndonjë dosje, ose mund të na e kenë kurdisur ndonjë dosje tjetër, por pjesën më të madhe të dosjeve nga e kaluar e ka BEOGRADI, kështu që kot e themi të hapen dosjet, sepse dosjet janë në Serbi, serbët do t’i hapin kur u duhen atyre, ose për t’i bërë shantazhe ndonjë spiuni, ose për ta hutuar opinionin me shpifje .

Futja e ekstremizmit fetar përmes organizatave humanitare është një fenomen që autori e përmend vetëm rrëshqitazi. Ndërkaq, ky ekstremizëm që erdhi me hurma e bakllava me kohë u shndërruar në terrorizëm islamik, ndërsa shqiptarët e Kosovës dolën në kreun e terroristëve ndërkombëtar islamik.

Për nga numri i popullatës janë më të shumtët në Evropë. Autori i ka mbetur borxh lexuesve ta trajtojë këtë fenomen, realisht më të rrezikshmin në Kosovë, madje edhe më i rrezikshëm se spiunët serbe e rus, sepse terroristët islamik janë vënë në shërbim të këtyre dy shteteve. Pres librin e ardhshëm po për këtë fenomen.

Unë nuk do ta zgjas më shumë analizimin e këtij libri, sepse druaj se atëherë do t’ia humbas një pjesë të sharmit e të fshehtësisë së leximit, kështu që ua le mundësinë lexuesve që ta lexojnë, ta gjykojnë dhe të marrin informacionin e duhur, duke i forcuar teoritë e tyre të konspiracionit, apo duke i flakur paragjykimet e vjetra.

KOMENTE