LHK: Masakra e Tivarit është njëra ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat komuniste serbe

LHK: Masakra e Tivarit është njëra ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat komuniste serbe

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, me rastin 73 vjetorit të grumbullimit të shqiptarëve nga gjithë Kosova në Prizren dhe nisjes së grupit të parë për në Tivarit, më 24 mars 1945, për tu vrarë nga forcat komuniste serbe, thekson se kjo masakër është njëra ndër masakrat më të mëdha të kryer nga forcat komuniste jugosllave ndaj shqiptarëve.

Masakra e Tivarit është emërtimi për vrasjen masive të një numri të madh të civilëve shqiptarë të Kosovës në Tivar, të kryer nga njësitë partizane jugosllave (divizioni i 46-të serb dhe brigada e 10-të malazeze) në pranverën e vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Viktimat ishin kryesisht shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin rekrutuar nga Ushtria Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, që të përdoren në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit, që ishin duke u tërhequr nga Ballkani. Shqiptarët marshuan nga Prizreni drejt Tivarit në tri grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë anëtarët e grupit tjetër të cilët nëpërmjet Shqipërisë arritën në Tivar ishin vrarë nga rojet malazeze. Llogaritjet e numrit të viktimave ndryshojnë nga 400–450 sipas informatave zyrtare partizane dhe 1500–2000 sipas historianët shqiptarë.

Pikë mbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni, deri ku ata u drejtuan nga oficer shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars. Grupi i tretë më 27 mars me 2700 veta dhe marshuan për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar.

Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen. Më 31 mars 1945 kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë dhe vrasjet masive vazhdoi më 1 dhe 2 prill 1945. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive, e në shkëmbinj e kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngitet dhe drejtohet drejt ndërtesë “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat.

Nga kjo masakër nuk shpëtoi as komuna e Gjilanit. Organet e pushtetit ushtarak në Gjilan mobilizuan një numër të konsiderueshëm të të rinjve për njësitet partizane, të cilët përmes Prizrenit e Shkodrës u dërguan në Tivar. Një pjesë e tyre u likuiduan gjatë rrugës e një pjesë jo vetëm që e përjetuan masakrën e Tivarit, por edhe vdiqën atje në fillim të prillit të vitit 1945.

KOMENTE