Lëvizjet e shqiptarëve në këtë ‘merkato’
Shqiptarët kanë treguar edhe këtë afat kalimtar se tashmë janë bërë pjesë e rëndësishme e futbollit evropian. Shumë prej tyre ndryshuan skuadra, ndërsa ka edhe prej atyre që kanë bërë hapa prapa në karrierë, duke u larguar nga skuadrat e mëdha në drejtim të atyre më të voglave. Kampioni i botës Shkodran Mustafi ishte ndër të parët që ndryshuan mjedis në këtë afat kalimtar, ndërsa nga Sampdoria kaloi në Spanjë te skuadra e Valencias.
Pastaj mjedis ndërruan dhe dy mesfushorët e Napolit, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili. I pari kaloi te Hamburgu në Gjermani, ndërsa i dyti te Galatasaray në Turqi. Xhemaili ishte një nga lëvizjet e minutave të fundit. Ndërsa shqiptari i fundit që luan për Zvicrën e ndërroi skuadër është edhe Pajtim Kasami, që kaloi te Olympiacos, nga Fulham, shkruan Tribuna.
Edhe të besuarit e Albert Bunjakit nuk kanë qëndruar duarkryq. Sulmuesi Shpëtim Hasani, nga Orebro e Suedisë kaloi në ligën polake në skuadrën Gornik. Edhe mesfushori Adrian Gashi ka ndërruar mjedis. Ai ka kaluar nga Helsingborg në Odd të Norvegjisë. Nga Helsingborg ka lëvizur edhe Loret Sadiku që ka kaluar në Turqi te skuadra Mersin.
