(2L ONLINE) – Zhvillime të reja në Lëvizjen Vatra të Gjilanit, e cila si duket definitivisht është ndarë në dy taborre që nuk e njohin njëra tjetrën. Ish sekretari i Vatrës, Fatmir Arifi thotë të jetë zgjedhur tani kryetar i ri i Lëvizjes Vatra në Gjilan, në takimin e kryesisë së re, takim ky që sapo ka përfunduar. Arifi i tha Portalit 2L Online se me shumicë votash kryesia e re e Lëvizjes Vatra, e ka zgjedhur atë për kryetar.
Sipas tij, Lëvizja Vatra qysh para disa muajve ka hyrë në proces të zgjedhjeve të brendshme të Kuvendit të Përgjithshëm që kanë qenë pjesë 148 anëtarë, të cilët kanë zgjedhur 51 anëtarë të Këshillit Drejtues, pastaj Kryesinë e re me 21 anëtarë dhe në fund edhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Arifi tha se ky proces ka qenë me sfida të ndryshme, por ka pasur vullnet të anëtarësisë së gjerë për të sjellur ndryshime në udhëheqjen e kësaj lëvizjeje. Ndryshimet e pritura sot u kurorëzuan me zgjedhjen e kryetarit të ri, ku shumica e Kryesisë së Lëvizjes Vatra e zgjodhi atë për kryetar.
“Çdo ndryshim është zhvillim. Zgjedhja ime në krye të Vatrës është tregues se ndryshimet mund të ndodhin dhe për këtë duhet vetëm këmbëngulje dhe guxim. Unë i siguroj të gjithë simpatizantët e Vatrës e më gjerë se guximin e kam për të mbrojtur interesin e çdo qytetari të Kosovës, e me theks të veçantë qytetarëve me origjinë nga Lugina e Preshevës” ka thënë kryetari i sapozgjedhur Fatmir Arifi, i cili deri para fillimit të procesit të zgjedhjeve të brendshme ka qenë sekretar i Lëvizjes Vatra. Ai po ashtu është doktorant i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë si dhe ligjërues i kësaj lënde.
Tani mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i palës tjetër që po ashtu pretendon se Sejdulla Kadriu vazhdon të jetë kryetar i Lëvizjes Vatra. Pasi Kryesia ekzistuese e Lëvizjes “Vatra” deri para Kuvendit, në mbledhjen e saj të mbajtur, sot në ora 12:00, kishte marr vendim për anulimin e Kuvendit të Dytë të Lëvizjes “Vatra” që kishte determinua Këshillin drejtues e më pas edhe kryesinë e re,
Pra, tani kemi një situatë të tillë në këtë subjekt ku kemi një kryesi të ndarë në dysh dhe të dyja palët pretendojnë se kanë të tyrin kryetarin e Lëvizjes Vatra. /2l online/