Ish-ministri i punëve të jashtme dhe presidenti i Federatës së tenisit të Serbisë paturpësisht i kërkon Federatave evropiane të mos votojnë për pranimin e Kosovës.
Diskutimi për pranim i Federatës së tenisit të Kosovës në atë të Evropës në kuvendin vjetor që këtë vit mbahet në Sofja të Bullgarisë prej 27 deri më 30 mars, ka futur në funksion Beogradin me të gjitha mjetet e veta. Së fundi, ish-ministri i punëve të jashtme dhe presidenti aktual i Federatës së tenisit të Serbisë, Vuk Jeremiç i ka dërguar letër të gjitha Federatave kombëtare të tenisit në Evropë.
Letra e shkruar nga ai paturpësisht ka përmbajtje raciste, ku ndër të tjera ai thërret për mos pranimin e Kosovës në Federatën evropiane të tenisit, ndonëse ajo kërkon ligjërisht vetëm pranimin me të drejta të kufizuara. Sipas Jeremiç, Kosova nuk i plotëson kushtet e pranimit, pasi që sikur në futboll (UEFA) edhe në tenis, serbët ia kanë dalur të fusin nenin se anëtari i ri duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të bashkuara (OKB), megjithatë ndryshe nga futbolli në tenis ka mundësi për disa lloje të anëtarësimit.
“Kjo është thyerje e statutit të Federatës evropiane të tenisit, Federata e Serbisë e tenisit (FST) fuqishëm kundërshtën dhënien e çfarë do anëtarësimi të ashtuqujaturës ‘Federatë të tenisit të Kosovës’ në atë të Evropës”, thuhet ndër të tjera në letër. Madje, Jeremiç shkon deri aty duke thënë pse nuk ka kërkuar FTK-ja të zgjedh çështjet me Serbinë, duke harruar se prej 15 vitesh nuk ka marrëdhënie Kosovë-Serbi. Gënjeshtrat e tij madje rriten me faktin se FST-ja në Kosova po i kontrolluaka 15 klube të tenisit, ai po ashtu tregon për bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Republikës së Serbisë dhe, sipas tij, autoriteteve vetqeverisëse në Prishtina.
“Për këtë pranimi i Federatës së tenisit të Kosovës në atë të Evopës do të përbënte një precendent të rrezikshëm për sportin tonë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi”, shkruan Jeremiç. “Çështja e përfaqësimit në sportin ndërkombëtar të Federatave do të jetë në agjendë të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në muajt e ardhshëm”, shkruan Jeremiç, të cilit duket se më shumë po i djeg vendimi i gjyqit ndërkombëtare që vërtetoi pavarësinë e Kosovës. Në mbledhjen e fundit të kongresit të Federatës evropiane të tenisit (FET) të mbajtur vitin e kaluar në Tallinn të Estonisë, Kosova ishte në rend dite, duke fituar 26 vota për, 25 kundër pranimit dhe 8 abstenuan, por për pranimin e plotë duheshin 2/3-tat. Megjithatë drejtuesit e FET nuk i kishin dhën mundësinë e marrjes së fjalës delegacionit të Kosovës, duke bërë shkelje të principeve elementare njerëzore. Këtë here drejtuesve të FTK-së i është premtuar marrja e fjalës në kuvend