Letërsia, poezia dhe atdhedashuria në prag të 28 Nëntorit!
Në kuadër të aktiviteteve që SHFMU “Selami Hallaçi”, në Gjilan, po organizon në nderim të festës së 28 Nëntorit, kjo shkollë ishte nikoqire e veprimtarisë letrare “Me poezinë e zgjedhur të Ymer Elshanit”, organizuar nga Ars Club “Beqir Musliu”, në kuadër të edicionit të 17-të të manifestimit “Vjeshta Letrare e Gjilanit”.
“Nder dhe mirënjohje për shkollën tonë, që sot patëm të pranishëm ata që vazhdimisht kultivojnë letërsinë shqipe me shkrimet e tyre; profesor Anton Nikë Berisha, poetin Sabit Rrustemi, gazetarin dhe prozatorin Muhamet Halili, poetin Izet Abdyli”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.
Ky aktivitet solli në këtë shkollë vlerat e poezisë dhe të krijimtarisë letrare, duke na rikujtuar rëndësinë e fjalës artistike, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Njëkohësisht, ishte një mundësi e veçantë për nxënësit që të njihen më afër me krijimtarinë e poetit Ymer Elshani dhe të kultivojnë dashurinë për librin dhe letërsinë.
Liridon Ismajli, drejtor në Shkollën e Mesme të Ultë “Selami Hallaqi” pasi ka përshëndetur të pranishmit, tha se kjo ngjarje kulturore po mbahet në prag të Festës së Flamurit dhe në kuadër të edicionit të shtatëmbëdhjetë të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit” .
Nxënës të kësaj shkolle kanë recituar poezi të shkrimtarit Ymer Elshani kanë kënduar këngë korale dhe kanë luajtur në piano, kurse për jetën dhe veprën e Ymer Elshanit ka folur Izet Abdyli, kryetar i Ars Club “Rifat Kukaj”.
Ymer Elshani u lind më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Kreu i fakultetin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe një kohë të gjatë punoi në arsim. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane. U vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij.
Me një vlerësim për veprën e Ymer Elshanit “Kur vallëzojnë buzëqeshjet” është paraqitur kritiku letrar, Anton Nikë Berisha, I cili ka thënë se të merresh me letërsi për fëmijë është përgjegjësi e dyfishtë, ngase kush krijon e punon për fëmijë merret edhe me të tashmen edhe me të ardhmen. Për shkrimtarin Ymer Elshani ai ka thënë se ky shkrimtar ka lënë një trashëgimi të rëndësishme, kurse ndër veprat më të njohura të tij mbeten Çka ëndërrojnë lulet”, “Plaku me violinë”, “Unaza magjike”, “Ndodhitë e hundëkarotës”, “Guri i Çmueshëm”, “Kur vallëzojnë buzëqeshjet” etj.
“Falënderojmë Ars Klubin “Beqir Musliu” për bashkëpunimin, mësimdhënëset e Gjuhës shqipe; Liridona Mehmeti, Blerta Beka, mësimdhënësen e artit muzikor Fikrije Aliu, për përgatitjen e këtij aktiviteti letrar e kulturor, si dhe nxënësit tanë pjesëmarrës, të cilët i dhanë vlerë këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimi ne shkollës.
“Festat kombëtare i nderojmë jo vetëm me kujtesë historike, por edhe duke kultivuar gjuhën, kulturën, artin dhe vlerat tona kombëtare”, thuhet në fund të njoftimit të SHFMU “Selami Hallaçi”.
Në fund nxënësit kanë bashkëbiseduar me mysafirët për krijimtarinë e Ymer Elshanit. /2LONLINE/
