DYLON

Letër Publike për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni

Letër Publike për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni
Avatar photo Redaksia

Letër Publike për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

I nderuar Kryetar,

EkoHigjiena

Me interesim kam përcjellë paralajmërimet për fillimin e punimeve në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore dhe i vetmi që ka parë Gjilani në vitet e fundit, ndërtimin e bulevardit të qytetit.

Pa asnjë dyshim, ky është një projekt që mund t’ia ndryshojë fytyrën qytetit dhe t’i japë Gjilanit një dimension të ri urban. Megjithatë, pikërisht për shkak të madhësisë dhe kompleksitetit të tij, ai kërkon planifikim të detajuar, koordinim të vazhdueshëm dhe profesionalizëm maksimal në çdo fazë të realizimit.

Qytetarët kanë nevojë të dinë se si do të organizohet qarkullimi gjatë punimeve.

Cilat rrugë do të përdoren?

Si do të kenë qasje banorët në shtëpitë e tyre?

Si do të funksionojë transporti dhe lëvizja e përditshme në atë pjesë të qytetit?

Po aq e rëndësishme është edhe çështja e bizneseve që veprojnë përgjatë zonës ku do të zhvillohen punimet. Për shumë prej tyre, muaj të tërë punimesh mund të nënkuptojnë rënie të ndjeshme të qarkullimit dhe vështirësi serioze për mbijetesë. Prandaj, është e domosdoshme që të gjenden zgjidhje praktike që t’u mundësohet vazhdimi i aktivitetit ekonomik gjatë gjithë periudhës së ndërtimit.

Një projekt i kësaj natyre nënkupton edhe ndërhyrje të mëdha në infrastrukturën nëntokësore. Ujësjellësi, kanalizimi, rrjeti elektrik, kabllot e telekomunikimit dhe shumë elemente të tjera duhet të trajtohen me kujdes të veçantë. Është shumë e rëndësishme që çdo gjë të planifikohet dhe të sistemohet tani, në mënyrë që pas përfundimit të bulevardit të mos kemi nevojë të shohim gërmime të reja sepse është harruar apo anashkaluar ndonjë segment i infrastrukturës.

Po ashtu, një projekt kaq i madh kërkon operatorë ekonomikë seriozë, me kapacitete profesionale dhe teknike të dëshmuara. Gjilani nuk ka nevojë për zvarritje të pafundme të punimeve. Ka nevojë për ritëm, disiplinë dhe përgjegjësi. Nëse është e mundur, puna duhet të organizohet në dy ndërrime, nga mëngjesi deri në mbrëmje, pra nga 07:00-22:00, në mënyrë që koha e realizimit të jetë sa më e shkurtër dhe shqetësimet për qytetarët sa më të vogla.

Qytetarët e Gjilanit e duan zhvillimin dhe investimet. Ata (besoj unë) janë të gatshëm të durojnë përkohësisht vështirësitë që sjell një projekt i madh. Por në këmbim kërkojnë planifikim të mirë, transparencë, komunikim të vazhdueshëm dhe realizim cilësor.

Prandaj, planifikoni çdo detaj, organizoni qarkullimin, ndihmoni bizneset të mbijetojnë gjatë punimeve, angazhoni kompani serioze dhe grahni punës. Gjilani e meriton një bulevard të ndërtuar mirë dhe një projekt që do t’i shërbejë qytetit për dekada, jo për pak vite. Gjilani meriton hyrje-dalje të mira, autostradën, rrugë cilësore dhe trajtim serioz por nuk i ka pasur.

Me respekt,
Ardian Azemi