(2L ONLINE) – Lexues, ti e din se muzika ma e ndigjueme asht ajo e zhanrit hibrid tallava, që hë për hë, cilësohet si njana ndër llojet ma të pa vlera artistike nga njohësit e muzikës, programet ndër ma të ndjekunat televizive mbeten ato të klasës së ODEONIT dhe serialeve turke e latine. Soji i lexuesve të librit, artdashësit ose edhe kërkuesit e dijeve përgjithësisht, mund të llogariten qysh tash si specie e rrezikueme, tue qenë që; kulturën e leximit nuk po e shohim të mbillet në jetën e të rinjve.
Shkruan: Imer TOPANICA
Shohim turma të tana që shkojnë mbas nji lideri, pa pas kurrnji ide se në çka në të vërtetë i fton ai (Ka politikanë me thasë, të cilët kanë rrejt me dhjetëra herë a me qindra herë, dhe prapë gjinden të gatshme turma të tana ndjekësish të verbër, besnik ndaj thirrjeve të tyne).
Shohim padituni kudo. Shohim nga ana tjetër nji trend në rritje të dukurive të këqija tek të rinjtë. Shohim tendenca sulmesh e hedhje fajesh nga njana palë tek tjetra. Askush nuk jep llogari për damet që i shkakton.
I kemi pa me ç’vlug janë ngritun institucionet private të nalta të arsimit dhe me mijëra herë e kemi vërtetue cilësinë e ulët të mësimnxanjes aty. Kemi venerue trende në rritje të ndjekjes së politikave të pista tregtare prej anës së mediumeve të shkrueme e elektronike, në pjesën ma të madhe të të cilave me urgjencë duhet me e vu shenjën +18, dhe megjithatë të gjithë heshtim para kësaj shpërlamje masive të truve, zhveshje masive të vlerave shpirtnore.
Prandej, në nji kontekst të tillë, në këso kushtesh, rritja e rrymave ekstreme përjashtuese, qoftë të thirruna në etiketa fetare e afetare, nacionaliste-kombëtare a humaniste-evrocentriste, që kanë tendencë përjashtuese kundrejt njana tjetrës, asht i vetmi fenomen normal këtu!
Eh pra, i nderti lexues, ti që po e shterr kohën në këtë lexim rreshtash, duhet që ta dish: Rrezik nuk asht islami, njohja e tij, njohja e kulturës dhe civilizimit islam, rrezik asht mos-njohja dhe injoranca kundrejt tij. Ani në qofsh nga ata që kanë për lavdi me u rreshtue mbas flamurit të islamit, asht obligim njohja e kulturës tande, njohja e nji pjese të identitetit tand.
Zgjohu dhe mëso, pse islami dhe terrorizmi janë dy terme e fenomene të papajtueshme…/2L ONLINE/