DYLON

Lerini të flasin!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Aferdita Morina- Biffar
/2L ONLINE/ – Kanë filluar të flasin komandantët me radhë. Shokët e luftës e të idealit. Kështu quheshin mes vete tash e 16 vjet, kur mbronin njëri- tjetrin, po u tha e u fol ndonjë fjalë e keqe për ndonjërin prej tyre. U pasuruan, ndërruan edhe ngjyrën e flokëve, stilin e veshjes e madje edhe u “shkolluan”! Gjithëçka ecte vaj e si është më së miri për ta. Rahatuan e punësuan far e fis, dikënd në KEK, ca në PTK, të tjerë në RTK e aeroport.. e kështu me radhë..

Kosova, u shndërrua në prone të tyre, në një livadh të madh, që e kositnin pasi e kishin ndarë mes vete, sipas marrëveshjeve që veç ata i dinin si e kishin bërë.

EkoHigjiena

Kosovën e shndërruan në parajsë të vogël për vete, dhe familjet e tyre, ndërsa në ferr të madh mjerimi e varfëri e për të tjerët. Me bajrak në dorë, na thonin për ditë se na e sollën lirinë, dhe ky është çmimi që Kosova dhe populli i saj duhej të paguante në këmbim të meritave të tyre. Për vete i morën të gjitha e popullit ia lanë ta thithte vetëm ajrin ( në atë pjesë ku eventualisht nuk e kishin ndotur me gurthyes), se vleresonin ata, nuk kishte bërë më shumë për lirinë. Madje as NATO-së nuk ia njihnin dhe vlerësonin kontributin për çlirim. Nuk u pelqente kur populli, shprehte simpatinë e merituar për ushtarët që shërbenin në KFOR.

E populli nuk ndaloi kurrë së qeni mirënjohës për këta ushtarë të të gjitha vendeve të botës që sollën lirinë e shumëpritur dhe që s’kërkonin asgjë në këmbim për komandantët e tyre, ndërkohë që po ky popull ishte dëshmitar i vitin 1999, kur letra të varura gjithandej…madje edhe në pemë e lisa bartnin porosinë; “mos e prek- e nxanme – nga X.Y komandanti!”, e si për dreq komandantët tanë dolën të ishin shumë..aq shumë sa nuk mbeti gjë pa u zënë e uzurpuar…e ushtarët e tyre nuk shiheshin gjëkundi. Ushtarët, ata të vërtetit, shumica ishin vrarë, ndërsa ata që kishin mbetur gjallë, menjëherë pas luftës ishin shkrirë e bërë një me popullin, që thithte ajër lirie dhe shikonte dramën që po luanin komandantët pa ushtarë.
Drama duhej ndjekur në qetësi dhe pa zhurmë. Pa pyetje për vrasjet e shumta enigmatike të pasluftës. Nuk i duronin pyetjet, sado që të pakët ishin ata zëra që guxonin të pyesnin se si ndodhen ato ?! Kushdo që guxonte, ta thoshte të vërtetën shpallej armik i lirisë!

Por, ja që vjen dita e shpirti u trazohet! Një fjali e shkurtër kuptimplot e; Gjykatë Speciale…dhe papritmas bota fillon tu shembet nën këmbë. Tash nuk është se po i pyet kush se kush vrau, kush vodhi e kush rrjepi më shumë në këtë vend. Po flasin vet e po e pyesin njëri – tjetrin. Do të vazhdojnë të flasin, do ti tregojnë të gjitha një nga një…e një për një…

Lëmshit ka filluar ti gjendet fija.. s’ka më forcë ta ndaloj shthurrjen e këtij lëmshi që lirinë e mbajti peng për 16 vjet. Ndoshta, dikënd prej tyre e ka zën gjaku, dikënd mallkimet, e të tjerët dehja nga deliri i madhështisë së rrejshm e që kanë jetuar tash e sa vite.

Prandaj, lerini le të flasin.Të thonë cfarë kanë për të thënë. Nuk do të thonë asgjë më shumë e asgjë më pak se atë që populli e ka ditur tash e 16 vjet… por që fjalët në grykë ua kanë lënë kujtdo që ka marrë guximin ti thotë hapur e me zë ..
Po shoshiten këto ditë vetëm ca detaje të (pa)ditura që do të plotësojnë mozaikun si të tërë.

E ju njerëzit e mire të vendit tim, ju që për vite të tëra u mbeti të thithni vetëm ajër lirie, mos u trazoni e mos u trishtoni nga rrëfimet e tyre, sado të neveritshme e të trishta të jenë ato.

Lerini të qetë të flasin se kanë nevojë të tmerrshme të rrëfehen. Besoni që nuk po e sulmojnë njëri-tjetrin, por po rrëfehen, se shpirti po u kërkon paqe me veten.

Një ditë kështu do të rrëfehen edhe në gjykatë…mbase atje edhe do te gjejnë paqen që shpirtrat e trazuar po ua kërkojnë. Sepse ata që u pasuruan, ndërruan edhe ngjyrën e flokëve, stilin e veshjes e madje edhe u “shkolluan” nuk u bënë të tjerë, janë këta që ishin të tillë dje dhe të tillë po shpërfaqen sot!

Pas kësaj periudhe rrëfimesh, akuzash e dënimesh, Kosova dhe populli i saj do të dalin të fituar! Vetëm atëherë liria do të çilrohet e shpërfaqet në dimensionin e saj të plotë e do të ketë kuptim. Uroj që kjo ditë të vijë sa më shpejt dhe nuk do ta thithim vetëm ajrin e lirisë, por do ta shijojmë në plotni! /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.