L’Equipe: PSG do ta transferojë Messin
Paris Saint Germain kërkon me çdo kusht të afrojë në skuadër yllin e Barcelonës, Lionel Messi. Lajmin bombë e jep e përditshmja franceze “L’Equipe”, sipas së cilës, sheiku Al Khelaifi nuk arrin ta përtypë faktin se dështoi në tentativën për të afruar Cristiano Ronaldon, prandaj ai ka nisur ofensivën për blerjen e argjentinasit.
Në vijim të shkrimit, “L’Equipe” rendit një sërë arsyesh pse numri 10 është i gatshëm të largohet nga Barcelona. Në krye qëndrojnë problemet fizike të muajve të fundit dhe problemet fiskale me agjencinë e taksave. Një tjetër shkak është edhe afrimi i brazilianit Neymar që po fiton përditë e më shumë terren në “Camp Nou”.
Gazeta shkruan gjithashtu se Paris Saint Germain është një nga të paktat klube në planet i gatshëm të paguajë në para të gatshme klauzolën prej 250 milionë eurosh që Barcelona ka vendosur në kontratën e 4 herë fituesit të ‘Topit të Artë’. Paris Saint Germain ka konfirmuar edhe vullnetin për të mbajtur në skuadër yjet e saj, mes të cilëve edhe Thiago Silva.
Prania e emrave të mëdhenj në “Parc De Princes” do të thotë se klubi ka një projekt serioz dhe afatgjatë për të afruar në skuadër emrat më të mirë të futbollit botëror. Një tjetër pengesë nëse mund të quhet e tillë, për transferimin e Messit në Francë shihet prania e Ibrahimovicit, por sipas “L’Equipe”, kohët e fundit, shtatlarti suedez ka dhënë sinjale pozitive përkundrejt argjentinasit, të cilin e ka etiketuar si lojtarin më të mirë të botës.
Në fund, e përditshmja e mbyll shkrimin me citimin e presidentit Al Khelaifi se dëshiron ta ngrejë Paris Saint Germain në majën e botës dhe Messi është një hap i madh drejt këtij objektivi.
