Lejohen stërvitjet për klubet e futbollit

Lejohen stërvitjet për klubet e futbollit

Pasi IKSHPK dhe Zyra e OBSh-së në Kosovë kanë konstatuar se situata epidemiologjike në Kosovë konsiderohet me risk të reduktuar krahasuar me situatën paraprake, Ministria e Shëndetësisë ke lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht për klubet futbollistike të Superligës në vend.

Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtueshmëri me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis FFK-së, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike.

Gjatë zhvillimit të aktiviteteve stërvitore, pjesëmarrësit në to duhet t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues.

Ndërkohë, Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, sot, e kanë zhvilluar një takim me ministren në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, e cila ua ka kumtuar zyrtarisht vendimin e institucioneve qeveritare për lejimin e procesit stërvitor për klubet.

Menjëherë pas këtij vendimi është mbledhur Komisioni i Garave dhe Komisioni i Gjyqtarëve së bashku me administratorin e Ipko Superligës, me pjesëmarrjen edhe të presidentit Ademi, sekretarit të përgjithshëm Salihu si dhe ekipit mjekësor të FFK-së, ku është duke u përgatitur orari i 11-javëve të mbetura të kampionatit si dhe ndeshjeve të Digitalb Kupës së Kosovës.

Ndërkohë, sot do të mbahet edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, i cili do të vendosë për datën fikse të rifillimit të kampionatit. Për fillim do të nisin përgatitjet e klubeve të Ipko Superligës, derisa për ligat e tjera KE do të vendosë më vonë gjithmonë në koordinim me ministrinë dhe UEFA-n.

Të gjitha klubeve tashmë iu ka dërguar udhëzuesi për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve dhe kërkohet respektimi i tyre në përpikëri.

Për rikthimin e futbollit në vendin tonë është njoftuar edhe UEFA. Me këtë rast, FFK falënderon ministren në detyrë të Sportit, Vlora Dumoshi dhe të gjitha autoritetet tjera qeveritare për mirëkuptimin e treguar dhe për lejimin e procesit të stërvitjeve të klubeve në fazën e dytë të masave lehtësuese, ngase në këtë mënyrë është ofruar mundësia që kampionati të rikthehet dhe të mbyllet në afatet e parapara nga UEFA.

KOMENTE