Legalizojeni armët tuaja, bëni ato “Me letra”

Legalizojeni armët tuaja, bëni ato “Me letra”

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferenca për media për procesin e legalizimit në përputhje me Ligjin nr. 05/l –134, si dhe njoftimin lidhur me fushatën për legalizim të armëve.

Koordinatori Nacional i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, njëherit zëvendësministër, z. Izmi Zeka bëri apel tek të gjithë qytetarët që të legalizojnë armët, sepse ky proces është me rëndësi për Kosovën dhe një prej prioriteteve të MPB në adresimin e saj për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.

Zëvendësministri Zeka vuri në dukje se Kosova ka bërë progres në kontrollin e armëve, mirëpo ende mbetet sfidë. Ai tha se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta paraqesin kërcenim për qytetarët dhe jetën e tyre.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, kolonel Riza Shillova theksoi se posedimi i armëve ka shkaktuar numër të madh të veprave penale, ndërsa procesi për dorëzimin dhe legalizimin e tyre ndikon në uljen e vrasjeve.

Ai theksoi se janë konfiskuar armë edhe pse ky trend kohëve të fundit ka rënë. Në vitin 2017 janë 1200 armë të konfiskuara, kurse ne vitin 2018 janë 1171 armë dhe këto shifra tregojnë se ka sasi të madhe të armëve që i posedojnë qytetarët.

Ndërsa, znj. Alessandra Roccasalvo – u.d Përfaqësuese e përhershme UNDP në Kosovë theksoi se posedimi i armëve të vogla në tërë botën dhe regjion po e vë në rrezik sigurinë publike, zhvillimin ekonomik dhe po merr jetë. Ajo tha se Kosova është vend i sigurt me një shoqëri të sigurt dhe se mund të jetë model dhe pikë referente për rajonin.

Fushata për legalizim të armëve mbështetet nga misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me Qeverinë gjermane (Zyrën për Punë të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë)

KOMENTE