DYLON

LE T’NA PUTHË KJO DRITË E BEKUAR E KËSAJ DITE

LE T’NA PUTHË KJO DRITË E BEKUAR E KËSAJ DITE
Avatar photo Redaksia

Premierë poetike për lirinë tonë …

Sabit RRUSTEMI

EkoHigjiena

LE T’NA PUTHË KJO DRITË E BEKUAR E KËSAJ DITE

Zgjohu e dashur
e kthjellu me ujin që t’vjen nga zemra e gurtë e këtij mali
ku e kemi lidhur jetën e fatin
prej Zanafillës e këndej

Veshi rrobat me ngjyrat e kësaj dite
e të kësaj kohe në prag pranvere

Hamë nga një thele bukë zezë
të kësaj toke të shtrenjtë
e lamë pak vend sa për nga një gotë ujë
e nisemi

Udhë kemi deri në atë Zemër Drenice e Kosove
ku na pret Buka e e jetës e e shpirtit
– Buka e Lirisë
e gatuar dhe e pjekur në oxhakun e atdhetarisë shqiptare
aty në Odën e Plakut të urtë e të palëkundshëm
me gjakun e të gjitha moshave
brezave
e kohëve

Mos merr lule as kurgjë tjetër pos vetes

Le t’na puthë kjo dritë e bekuar e kësaj dite
të ai vend i shenjtë flijimi

Pastaj
me dritën e bekuar të kësaj dite
me radhë le t’i puthim ata emra të përjetshëm lirie
me afshin më të thellë të shpirtërave tanë
njësoj siç jemi puthur në natën e parë të dashnisë

Po t’mos ishin këto flijime
me emra e mbiemra
me data të ndryshme të lindjeve
dhe me vetëm një ditëvdekje
ne nuk do t’ishim zgjuar pak më parë
në shtëpinë tonë
aty në tokën e gjyshit
e të dhjetëra gjyshërve të tjerë
as nuk do të prisnim në Trollin Tonë ndonjë pranverë

Hajde e dashur mos u skuq
puthë shlirë e me zemër secilin emër
secilin pishtar lirie që shndrit për ne
këtu e në qiell
e nga qielli i largët e i paarritshëm
shndrit edhe më shumë
mbi ne

I ngrohim këto shtëpiza të përjetshme lirie
në kutiza mermeti
me buzët tona
e gjakun që kemi nëpër dej

Po t’mos ishte kjo Zemër e Zjarrtë Drenice
nuk do t’ishin shkrirë ende ata akuj shekullorë
që kishin dimëruar jetërave tona
brez pas brezi

Pas këtij rituali nderimesh e puthjesh
deri në qelizat më të skajshme të qenieve tona
afrohemi e lidhemi për këtë shtizë të lartë
që mban dhe valëvit në nënqiellin e jetës sonë
atë flamur zemre
e puthemi
puthemi para gjithë botës
si shenjë mirënjohjeje e falënderimi
po për këto jetëra të pavdekshme
se
pa këttë flijim epik
as puthje këtu më s’do të kish

Puthemi e dashur
ashtu siç puthën tokën e na sollën lirinë

Për të gjitha puthjet e tyre për lirinë
ne puthemi për jetën
e për rilindjen e Dardanisë sonë
këtu në Zemrën e Kosovës
midis Drenice
në Prekaz

Abetare të jetës
e të lirisë sonë e kemi
dashni me shije mjalti
mëngjeseve pa fund

( 6 Mars 2021 )

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.