LDK: VV edhe zyrtarisht Gjilanin e bëri shitore të thyer, duke e thyer derën e buxhetit
“Drejtoresha e Buxhetit e faktoi atë që LDK e ka alarmuar në vazhdimësi, Vetëvendosje edhe zyrtarisht Gjilanin e bëri shitore të thyer, duke e thyer derën e buxhetit.
Atë që Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan e ka thënë në vazhdimësi, drejtoresha e Buxhetit, zonja Herolinda Murati Leka e faktoi sot, pasi fatkeqësisht kjo parti edhe zyrtarisht e shpalli Komunën e Gjilanit si shitore të thyer, e cila më pas u detyrua të japë dorëheqjen”, thuhet në një komunikatë të LDK-së, Dega në Gjilan.
Sipas kësaj komunikate, LDK e Gjilanit vlerëson se abuzimi po vazhdon, por shqetësimi kryesor dhe më serioz është buxheti, aty ky menaxhohet e ruhet paraja e qytetarëve, është thyer dera nga persona të paautorizuar dhe për këtë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon hetim dhe masa urgjente nga organet e sigurisë.
“Nga një komunë me disiplinë të ashpër buxhetore e dietë në shpenzime gjatë tetë viteve të udhëhequra nga LDK dhe kryetari z. Lutfi Haziri, tashmë Komuna e Gjilanit ka degraduar skajshmërisht, me mosdisiplinë, shpenzime të paautorizuara, me projekte pjesërisht të implementuara e dyfishim të vlerave, dhe kjo tregon për vjedhje e abuzime të organizuara”, thuhet tutje në komunikatë.
“Ia kujtojmë publikut se Komuna e Gjilanit tash e tri vjet është penalizuar nga të gjitha grantet, edhe të qeverisë qendrore, por edhe të organizatave të shteteve të fuqishme europiane, për shkak të abuzimit me paranë publike, të cilën tashmë e ka faktuar edhe auditori i pavarur.
Ky degradim tregon në mënyrë frapante dështimin monumental të ekzekutivit dhe z. Hyseni, duke e bërë Gjilanin një gropë të zezë financiare dhe duke e sjell imazhin e komunës për toke”, thuhet në fund të komunikatës së LDK-së, dega në Gjilan. /2LONLINE/
