LDK nuk është pronë private!
Shkruan: Ali Bajrami
-Partia nuk mund të jetë peng i grupeve të interesit-
Kriza e LDK-së nuk është thjesht krizë e emrave për kryetar. Ajo është krizë e modelit të organizimit, e demokracisë së brendshme dhe e kulturës politike.
Sot, brenda LDK-së vërehen dy grupe që përplasen mes vete. Por kjo përplasje, të paktën në atë që po shfaqet publikisht, nuk karakterizohet nga dallime të artikuluara ideologjike, programore apo vizione të ndryshme për të ardhmen e partisë. Ajo ngjan më tepër me një garë për kontrollin e strukturave, ndikimin dhe ruajtjen apo zgjerimin e interesave personale e nepotike.
Kur mungon debati për ide, por dominojnë ambiciet për kontroll, problemi nuk është gara për udhëheqje, por rreziku i kapjes së institucionit partiak.
LDK-ja nuk mund të shndërrohet në pronë të asnjë grupi, familjeje politike apo rrethi të interesave. Ajo është subjekt politik me histori, identitet dhe përgjegjësi publike.
Paraqitja e emrave të rinj, madje edhe e figurave që nuk kanë qenë pjesë e anëtarësisë, nuk është në vetvete problem. As ambicia e Përparim Ramës nuk duhet paragjykuar. Por çdo pretendim për drejtimin e partisë duhet t’u nënshtrohet kritereve të qarta: kontributit, vizionit, integritetit dhe legjitimitetit demokratik.
LDK-së nuk i duhet ndërrimi i administratorëve të pushtetit të brendshëm. I duhet ndryshimi i vetë kulturës së qeverisjes partiake.
Nuk mund të predikohet demokracia në publik, ndërsa brenda partisë vendimmarrja të mbetet e përqendruar në qarqe të mbyllura. Nuk mund të kërkohet besimi i qytetarëve, nëse anëtarësia trajtohet si instrument votimi dhe delegatët si mekanizëm formal për legjitimimin e vendimeve të parapërgatitura.
Reforma duhet të jetë konkrete:
LDK ka nevojë për:
-Demokraci reale në vendimmarrje.
-Transparencë dhe llogaridhënie.
-Përparësi meritës ndaj nepotizmit.
-Hapje e partisë ndaj kuadrove dhe ideve të reja.
-Përgjegjësi politike për dështimet dhe rezultatet.
Një parti që nuk arrin të reformojë veten, vështirë se mund të bindë qytetarët se është e gatshme të reformojë shtetin.
Dhe një pyetje për të gjithë ata që pretendojnë ta udhëheqin LDK-në:
A po kërkoni ta drejtoni LDK-në për ta ndryshuar atë, apo po kërkoni ta kontrolloni për të mos ndryshuar asgjë?
Kjo është çështja thelbësore që duhet të marrë përgjigje.
LDK-ja nuk ka nevojë për një marrëveshje mes dy grupeve për ndarjen e ndikimit. Ka nevojë për një marrëveshje të re me anëtarësinë, me vlerat e saj themeluese dhe me qytetarët.
Partitë politike nuk janë pronë e atyre që i kontrollojnë strukturat, por institucione të atyre që u besojnë vlerave dhe programit të tyre.
Mjaft me riciklimin e elitave dhe konkurrencën për kontroll!
LDK-së i duhet reformim i thellë, jo ndërrim i rojeve në portat e pushtetit partiak! /2LONLINE/
