LDK në Gjilan ngre shqetësim serioz për anulimin e procedurës së transferimit të brendshëm nga drejtori Rexhepi
“Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka marrë vendim për anulimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesave për transferimin e mësimdhënësve për vitin shkollor 2026/2027. Pas analizimit të këtij vendimi dhe të Rregullores (QRK) Nr. 19/2024 për Procedurat e Përzgjedhjes dhe Emërimit në Institucionet Publike të Arsimit Parauniversitar, rezulton se ky veprim ngre shqetësime serioze juridike”, thuhet në një reagim të LDK-së së Gjilanit.
Për LDK-në, DKA e arsyeton anulimin me faktin se vendet e punës duhet të plotësohen përmes konkursit të hapur publik, me qëllim të garantimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët. Megjithatë, Rregullorja (QRK) Nr. 19/2024 e trajton procedurën e transferit si një fazë që zhvillohet para shpalljes së konkursit publik, me qëllim sistemimin e personelit ekzistues që plotëson kushtet ligjore.
Tutje, në reagimin e LDk-së së Gjilanit, thuhet se po ashtu, rregullorja nuk përmban asnjë dispozitë që autorizon anulimin e procedurës së transferit vetëm për shkak të vendimit për hapjen e konkursit publik. Për më tepër, vendimi i DKA-së nuk identifikon asnjë nen të kësaj rregulloreje që i jep kompetencë për një anulim të tillë dhe nuk ofron një arsyetim konkret se pse procedura nuk mund të vazhdonte sipas rregullave në fuqi.
“Në një shtet të së drejtës, organet administrative janë të detyruara të veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe akteve nënligjore. Çdo kufizim i të drejtave të pjesëmarrësve në një procedurë administrative duhet të mbështetet në një bazë të qartë ligjore dhe të jetë i arsyetuar. Për këto arsye, ekzistojnë baza serioze për të vlerësuar se vendimi i DKA-së është në kundërshtim me Rregulloren (QRK) Nr. 19/2024”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së bërë përmes Zyrës për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan.
Sipas këtij reagimi, ky vendim nuk është vetëm përgjegjësi e Drejtorisë Komunale të Arsimit.
“Si udhëheqës i ekzekutivit komunal, i pari i ekzekutivizit, Alban Hyseni, ka përgjegjësinë të sigurojë që çdo vendim i administratës komunale të jetë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi. Prandaj, ai duhet të kërkojë sqarime mbi bazën ligjore të anulimit të procedurës së transferit dhe, nëse konstatohet se vendimi nuk mbështetet në Rregulloren (QRK) Nr. 19/2024, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për rishqyrtimin e tij, në mbrojtje të ligjshmërisë dhe të drejtave të mësimdhënësve”, thuhet në fund të reagimit lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan. /2LONLINE/
