LDK-ja duhet të kthehet në identitet
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu, e ka kritikuar udhëheqjen aktuale të kësaj partie për shkëputje nga filozofia rugoviane. Në 25-vjetorin e themelimit të LDK-së, ai e ka ftuar lidershipin e këtij subjekti politik të kthehet në identitetin fillestar.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Fatmir Sejdiu ka thënë se ka shumë gjëra në LDK që nuk janë në frymën e duhur. “Duhet t’i kthehemi thellë atij vizioni të presidentit Rugova. Ka shumëçka që nuk është e plotë në atë frymë. Ka shumëçka që mund të konsiderohet pjesë e operimeve klienteliste që kanë dalë të shpërfaqura në forma të caktuara dhe ka shumëçka që mund të konsiderohet pikërisht në atë pjesën e proklamimeve të ashtuquajtura të një LDK-je të re, që në një farë mënyre apo në tjetrën reflekton si shkëputje nga ai vizion”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka bërë me dije se subjekti më i vjetër politik në Kosovë duhet t’i vazhdojë reformat e brendshme, por jo të proklamojë një LDK të re. “LDK-ja sot ka për borxh të kthehet thellë në identitetin e saj, duke pasur një kujdes të veçantë në artikulimin e programit të saj burimor dhe me ripërtërirje të gjeneratave, apo të përgatitjes për ta marrë misionin gjeneratat që vijnë. Por, asnjëherë të kapërcej jashtë kësaj filozofie, duke pasur parasysh atë që keni dëgjuar edhe ju, të ndërtimit të një LDK-je të re”, është shprehur ai, duke shtuar se gjatë kohës sa e ka udhëhequr këtë parti ka bërë punë të mira. “Kujtoj se LDK-ja në këtë kohë duhet të përqendrohet thellë në procesin e reformave që nuk ka arritur t’i bëjë. Them me përgjegjësi se në periudhën që kam qenë në krye të LDK-së, me një mandat të cunguar, për shkak të pozicionit që kam pasur si president i vendit, kam bërë një punë jashtëzakonisht të madhe me ekipe të mira të njerëzve, pra për të realizuar një reformë të thellë të LDK-së”, ka vlerësuar Sejdiu.
Për më tepër:
http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=56790&Ctype=1
