/2L ONLINE/ – Larg syve të opinionit, të anëtarësisë e simpatizantëve, por edhe të një pjesë të mirë të strukturave të tyre, kanë nisur kontaktet e para direkte mes përfaqësuesve të LDK-së dhe PDK-së së Gjilanit, për të shqyrtuar mundësinë e një koalicioni mes tyre për bashkëqeverisje me Gjilanin.
Kjo është konfirmuar për Portalin 2L ONLINE, nga të dyja palët, bile burime brenda LDK-së thonë se të premten veç është shfrytëzuar kontakti i parë, mes dy personaliteteve të këtyre dy subjekteve, por ai takim më tepër thuhet të ketë qenë “i rastësishëm”, sa për të çelur muhabet rreth kësaj çështje, dhe se tani priten takime edhe në tavolinë. Brenda këtyre dy subjekteve flitet se nga PDK, pritet që ekipit t’i prijë Sami Hoxha, koordinator i Degës, deri sa nga LDK-ja do të jetë Arben Mehmeti, sekretar i Degës, ai i cili duket të ketë marr bekimin e kryetarit Lutfi Haziri, për të biseduar për këtë çështje.
Sami Hoxha & Arben Mehmeti
Por, ajo që është karakteristikë e kësaj nisme është fakti se që të dyja palët thonë se iniciativa është e palë tjetër nga edhe vije oferta dhe se ata do të duhej të shqyrtojnë ofertën në rrethin e tyre ku mund të vendoset për këtë, andaj do të shohin si do të rrjedhin tutje gjërat.
Burimet brenda LDK-së thonë se ka pas interesime nga PDK për t’u ofruar me LDK-në në shumë momente prej se ata kanë marrë pushtetin, por ka qenë pikërisht LDK-ja ajo të cilës nuk i ka interesuar kjo gjë, dhe se nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht PDK-në, por se tani duket se kjo çështje është më ndryshe, andaj edhe qasja e LDK-së ndaj interesimit të PDK-së do të jetë më serioze.
Thuhet se po që se palët në Gjilan merren vesh, hapi tjetër do të jetë kërkimi i bekimit nga qendra dhe duke ditur se atje veç kemi një koalicion të tillë, ajo që mund të pritet është vetëm konfirmimi i këtij koalicioni.
Edhe burimet brenda PDK-së konfirmojnë se kjo çështje është bërë temë, por edhe aty thuhet se është LDK-ja ajo që po ka qejf të ofrohet me PDK. Megjithatë asnjëra palë nuk ka gatishmëri për momentin për të folur hapur për këtë pasi, siç thonë, duhet pritur të ketë diçka konkrete.
Megjithatë, për këtë çështje ka edhe prej atyre që flasin hapur, si Gani Neziri, pjesë e strukturave udhëheqëse të Degës së PDK-së, i cili i pyetur nga 2L ONLINE, se a ka njohuri për këto zhvillime, thotë se nuk ka dijeni për takime, por pranon se ka dëgjuar për interesimin e LDK-së për t’i bërë ofertë PDK-së për koalicion të mundshëm edhe në Gjilan dhe se kjo është përmendur në struktura të partisë.
Por, për Nezirin kjo nuk është asgjë tjetër, pos që është planifikimi politik i LDK-së, i menduar mirë që ta vë PDK-në në lajthitje, është një “mollë sherri”, pikërisht në momentet kur PDK-ja po konsolidohet dukshëm dhe po forcohet dita–ditës, dhe nga kjo ka filluar të frikësohet LDK-ja andaj edhe nxjerrë në treg oferta të tilla për matematikat e saja.
Gani Neziri
Sipas tij, PDK-ja do të jetë opozitë dhe shumë shpejtë do të përmbyllet konsolidimi i saj i plotë dhe nuk ka fare dyshim se do të konfirmohet se është subjekti i parë në Gjilan, më i fuqishmi dhe me besimin më të madh tek qytetarët, për ta rikthyer atë në pushtet.
Përndryshe, një marrëveshje PDK–LDK, do ta linte Gjilanit pothuajse pa opozitë, bile edhe po ta nxirrte kjo marrëveshje AAK-në nga koalicioni. Kuvendi Komunal i Gjilani ka 35 anëtarë. Aktualisht LDK ka 14 anëtarë të Kuvendit, PDK – 7, AAK- 4, Vetëvendosje – 4 dhe nga një anëtar: Vatra, KDTP, ZEP, AKR, PD dhe NISMA. /2L ONLINE/