DYLON

LDK e nominon Sokol Halitin kandidat për kryetar komune për zgjedhjet lokale të tetorit

LDK e nominon Sokol Halitin kandidat për kryetar komune për zgjedhjet lokale të tetorit
Avatar photo Redaksia

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Viti, e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e kryetarit aktual të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, edhe për një mandat për kryetar komune, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

“Në prani, të strukturave të Degës sonë në Viti, mes gjithë atyre që s’ndalen së punuari për Lidhjen tonë, pranova nominimin e Kryesisë së degës për Sokol Halitin, për Kryetar të kësaj komune edhe për një mandat”, ka thënë Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

EkoHigjiena

E, i nominuari kandidat për kryetar të komunës së Vitisë, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, Sokol Haliti ka thënë  ndër tjerash se ky besim është  ai që i ka mbajtur bashkë dhe i ka shtyrë përpara.

“Sot, më është dhënë mundësia të jap edhe më shumë. Dhe ndjej të njëjtin nder dhe të njëjtën përulësi si herën e parë. Për herë të katërt, ju më dhatë një besim që nuk matet me poste apo tituj. Besim që na ka mbajtur bashkë, që na ka shtyrë përpara. E kemi dëshmuar se ndryshimi nuk është fjalë, por vepër, e kemi kthyer besimin në ura, shkolla, rrugë, projekte e shpresë. Vitia nuk pret më, ajo vepron. Zhvillohet, investon, rritet”, ka thënë Haliti.

Ja fjala e plotë e Sokol Halitit:

Edhe katër!

Të nderuar qytetarë të Vitisë, bashkëpunëtorë të dashur, kryetar Lumir Abdixhiku, anëtarë të kryesisë së degës, strukturave të LDK-së në Viti, aktivistë të palodhur dhe kontribues të pandalshëm të këtij vizioni, dhe të gjithë ju që sot i dhatë zë një të ardhmeje më të mirë:

Ju faleminderit nga zemra!

Sot ishte një nga ato momente kur njeriu ndalet dhe pyet veten: “A kam bërë gjithçka që kam mundur për qytetin tim?” Unë këtë pyetje e bëj shpesh. Jo si politikan, por si bir i këtij vendi. Dhe përgjigjja është: Po, kam dhënë gjithë veten, por ende nuk mjafton. Sepse Vitia meriton më shumë.

Sot, më është dhënë mundësia të jap edhe më shumë. Dhe ndjej të njëjtin nder dhe të njëjtën përulësi si herën e parë. Për herë të katërt, ju më dhatë një besim që nuk matet me poste apo tituj. Besim që na ka mbajtur bashkë, që na ka shtyrë përpara. E kemi dëshmuar se ndryshimi nuk është fjalë, por vepër, e kemi kthyer besimin në ura, shkolla, rrugë, projekte e shpresë. Vitia nuk pret më, ajo vepron. Zhvillohet, investon, rritet.

Sot, Vitia është një model, dhe këtë nuk e them unë, e thonë punët tona. E thonë qytetarët që ndiejnë ndryshimin çdo ditë. Por kjo nuk është fundi i një rruge, është fillimi i një kapitulli të ri.

Kjo nuk është vetëm kandidaturë. Ky është një betim: që asgjë nga e arritura nuk do të harrohet. Që asnjë vajzë e djalë në këtë komunë të mos ndihet më pak se fëmijët në qytetet më të zhvilluara të vendit. Kemi ditur të ruajmë vlerat tona dhe kemi pasur guximin të ëndërrojmë më shumë. Tani është koha për vizion, për hapin e radhës.

Këtë rrugëtim nuk e bëj vetëm. E bëj me strukturat e jashtëzakonshme të LDK-së në Viti, me kryesinë, me forumet, me rininë tonë të palodhshme, me gratë e guximshme, me aktivistët që kanë ndarë nga vetja për këtë projekt, me mërgatën tonë që i jep frymë vendit, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha, me qytetarët tanë që e mbajnë këtë vend gjallë çdo ditë. Me mësuesit, fermerët, prindërit, themelet e gjithçkaje që ndërtojmë.

Fryma që LDK-ja I sjell Republikës sonë të shenjtë, është frymë e një Kosove që mendon qartë, vepron me maturi dhe synon lart. Ne në Viti jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj rruge. Ne ndërtojmë politika të qëndrueshme, kompetencë e maturi, jo narrativa kalimtare. Sepse besimi fitohet përmes rezultateve të prekshëm. Ne nuk e kërkojmë pushtetin për të ushtruar forcë, por për të shërbyer.

Dhe sot, me këtë frymë, e them me bindje:

Ne nuk kërkojmë edhe një mandat për të qenë në pushtet. Kërkojmë edhe një mandat për të qenë në shërbim. Në shërbim të qytetit. Në shërbim të ëndrrave tuaja. Në shërbim të Vitisë që nuk ndalet dhe që nuk kthehet më asnjëherë mbrapa.

Faleminderit për gjithçka që kemi ndërtuar bashkë!

Dhe më shumë faleminderit për gjithçka që do të ndërtojmë tutje!

Zoti e bekoftë Vitinë!

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!