Lavdi marrëzisë!
Shkruan: Veton NEVZADI
(2L ONLINE) – Duket se e konsiderojnë si një lajm të mirë për Komunën e Gjilanit ardhjen e Ilir Metës. Kjo reflektohet nga mënyra se si është mbushur qyteti plotw me posterë mirëseardhje për të. Pra, Komunën e Gjilanit me rastin e Festës së Flamurit do ta vizitojë kryetari i Parlamentit të Shqipërisë.
Përkundër faktit se pozita e kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë nuk ka ndonjë rol të veçantë në Kosovë, do ta kuptoja si të arsyeshme pritjen e tij me pompozitet nga një komunë sic është Gjilani sikur ai të mos ishte Ilir Meta.
Si qytetarë të Komunës së Gjilanit kemi për obligim t’u bëjmë me dije përfaqësuesve politik të këtij qyteti, pra pozitës dhe opozitës (në rast se nuk e kanë kuptuar ende) se profili politik dhe sjellja praktike në të kaluarën e Ilir Metës nuk përkon askund me përcaktimin europian të qytetarisë së Komunës së Gjilanit.
Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Iliri Meta është personifikimi i politikanit të korruptuar që publiku shqiptar i gjithë hapësirës shqiptare e njeh veçanërisht përmes video-incizimit ku ai me një vartës të tij (Dritan Prifti) bën pazare të madha për kryerjen e projekteve publike, ku natyrisht që shpenzoheshin mjetet publike dhe nga i cili “ashiqare” përmenden kuota të caktuara të përfitimit që atëbotë i nxirrte kryetari i tashëm i Parlamentit të Shqipërisë.
Kjo marrëzi e Ilir Metës nuk mbaroi këtu, por ajo vazhdoi pastaj me të njëjtat motive, padyshim që politike dhe të paskrupullta që të shtrijë ndikimin politik drejt e në pushtetin e gjyqësorit. Përkundër faktit që ky “incident” i pastër i korrupsionit, i dokumentuar përmes emisionit “Fiks Fare” kishte krijuar si dëshmitarë rreth 7 milion shqiptarë, megjithatë gjykatat dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë si “pushtet i pavarur” konstatuan se në këtë rast mungonin dëshmi të mjaftueshme për të vazhduar me hapa të tjerë të cilat i parasheh ligji.
Në historinë e gjyqësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve ky moment ishte dhe do të mbetet njëri nga aktet e poshtra me të cilin do të turpërohemi sa herë që do të flasim me dikë për standardet perëndimore , sa herë që do të flasim për ndarjen dhe kontrollin e pushteteve në sistemet demokratike, sa herë që do të flasim për sundimin e ligjit.
Ndërsa protagonist kryesor i kësaj ngjarje ishte Ilir Meta, atëherë zv. kryeministër, ndërsa sot kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Mendoj që këto janë disa nga arsyet pse pritja për këtë përfaqësues të shtetit shqiptar në Komunën e Gjilanit duhet të duhej të ishte protokolare dhe vetëm formale. Nuk është Ilir Meta modeli i politikanit që do të duhej tepruar respektin për të nëse bazohemi në shembujt që ka dhënë në politikën shqiptare.
E kuptoj edhe kryetarin e komunës së Gjilanit, i cili qenka munduar t’u tregojë qytetarëve të komunës së tij që ka miq dhe njeh politikanë nga gjitha trojet shqiptare, mirëpo kësaj radhe i them me sinqeritetin më të madh se është një vizitë krejt e huqur dhe e pështirë.
Qytetarët e Komunës së Gjilanit janë pjesë e atyre mijërave dhe miliona dëshmitarëve që e kanë parë “live” në aksion Ilir Metën. Prandaj them se profili dhe e kaluara politike e tij nuk përkon askund me përcaktimin evropian të qytetarisë së Gjilanit, i cili konsiston në respektim të ligjit dhe jo në dhunimin e tij. /2L ONLINE/
