Federata e Hendbollit të Kosovës ka larguar selektorin e përfaqësueses, Taip Kabashi pa zhvilluar asnjë ndeshje.
Rasti i trajnerit, Taib Kabashi vlen për kuriozitetet e sportit që ndodhin anë e mbanë botës, ai u largua nga posti i selektorit të përfaqësueses së Kosovës pa zhvilluar asnjë ndeshje të vetme me përfaqësuesen. Veç tij është liruar nga detyra edhe trajneri i hendbollisteve, Agim Shkodra.
“Bordi i FHK-së në mbledhje mori vendim që përzgjedhësit e Përfaqësueseve të Kosovës në të dyja konkurrencat të falënderohen për punën e deritashme dhe të lirohen nga detyra, kurse u formua Komisioni i cili do ti harton kriteret për shpalljen e konkursit për përzgjedhës në afatin sa më të shkurtër”, thuhet në informatën e Federatës së Hendbollit të Kosovës,
Në njoftim e FHK-së thuhet në gjuhën diplomatike lirimi nga detyra, sepse përkthyer më origjinal e drejt është shkarkimi i përzgjedhësve.
“Nuk di. Nuk më ka njoftuar askush se jam i liruar nga detyra. Nga ju po e dëgjojë këtë”, tha Kabashi për Bota sot, të cilës i referohet sport1.
Në informatë nuk jepet asnjë sqarim shtesë përse u liruan nga detyra Kabashi e Shkodra. Karakteristikë tjetër është se Kabashi lirohet apo shkarkohet pas 15 muaj e 10 ditëve, çka do të thotë se pas luftës është përzgjedhësi i parë me mandatin më të shkurtër së bashku me Shkodrën.