Nëse nuk i lani duart shpesh, atëherë bëni një gabim shumë të madh. Në fakt, kjo praktikë e thjeshtë na mbron nga viruset dhe bakteret. Konfirmimi i fundit vjen nga revista prestigjioze Lancet, që sapo ka publikuar një studim mbi efektet e larjes së duarve mbi reduktimin e përhapjes së sëmundjeve të ftohjes dhe infeksioneve gastrointestinale.
Studiuesit e Universitetit të Southamptonit kanë rekrutuar më shumë se 20 mijë subjekte dhe i kanë ndjekur ata për rreth tre vjet. Gjysmës prej tyre i është dhënë qasje në ueb-faqe të pasura me këshilla, sugjerime dhe informacione të detajuara mbi larjen e duarve. Ueb-sajti posedonte edhe një shërbim monitorimi të lidhur me subjektet për të parë se si përmbusheshin premtimet e tyre.
Ata patën më pak ftohje, grip dhe infeksione gastrointestinale në krahasim me ata që nuk përfituan nga qasja nga internet. Një përmirësim analog i shëndetit u vërejt edhe te familjarët: larja e duarve reduktoi marrjen e viruseve nga njëri-tjetri. Në përgjithësi, studiuesit vërejtën një ulje prej 10-20% të recetave të antibiotikëve dhe vizitave te mjekët në tre dimrat e marrë në studim.
Higjienë e dobët edhe te pacientët e shtruar
Pavarësisht përdorimit në rritje të një xheli higjienizues, në mungesë të ujit dhe sapunit, duket se një higjienë perfekte e duarve nuk është ende një zakon për të gjithë, as edhe kur bëhet fjalë për pacientë të shtruar në spitale. Një studim i publikuar në revistën Infection Control and Hospital Epidemiology dhe i kryer në Kanada me mbi 179 pacientë në një repart transplanti organesh, tregon se si në një vend kaq delikat, masat themelore të higjienës shpërfillen lehtë.
Rezultatet dekurajuese tregojnë se, pacientët e shtruar i lanin duart vetëm në 30% të rasteve që shkonin në banjë, 40% përpara se të hanin drekën dhe vetëm një herë kur përdornin kuzhinën e repartit.
Një virus mund të kontaminojë një ndërtesë në 120 minuta
Viruset dhe bakteret mund të mbijetojnë mbi lëkurë dhe mbi sipërfaqe: nëpërmjet duarve përhapen ngado. Dhe përhapja e tyre, nëse nuk bllokohet, mund të jetë aq e shpejtë, sa nuk imagjinohet.
Një studim i prezantuar shtatorin e kaluar në takimin e Shoqatës Amerikane të Mikrobiologjisë, tregon se një virus i parrezikshëm, i ngjashëm me norovirusin gastroenterit, i shfaqur në mëngjes në dorezën e njërës prej dyerve të zyrave të një ndërtese, mund të përhapet në të gjithë atë brenda 120 minutash, ndërsa mund të prekë 60% të punonjësve.
Kështu që shëndeti është në duart tona
Nuk gabohemi kur tregohemi të kujdesshëm ndaj një njeriu që teshtin apo që kollitet: por prekja e sipërfaqeve të kontaminuara nga bakteret është po aq e rrezikshme për shëndetin. Sipas Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Atlantë, larja e duarve “është mënyra më efikase për të shmangur përhapjen e infeksioneve”.
Si mund t’i lani duart në mënyrë perfekte?
A e dini se cilat janë disa nga veprimet që çdo njeri duhet të kryejë për të pastruar siç duhet duart dhe për të eliminuar bakteret? Nëse mendoni se i dini, ndoshta do të befasoheni kur të lexoni disa të dhëna dhe këshilla më poshtë.
Është shumë e rëndësishme që para se të aplikoni sapunin, duart duhet t’i lagni më parë me ujë. Sapuni klasik që të gjithë mund të kemi në shtëpi, jo i lëngshmi, është një fole e vërtetë mikrobesh.
Këshillohet të merret një sapun i lëngshëm, i cili është i mbyllur në një enë plastike dhe nuk ka kontakt me ambientin rrethues. Fërkoni duart me sapun për rreth 20 sekonda, në mënyrë që të largoni mikrobet nga duart. Është e rëndësishme që të fërkoni edhe majat e gishtave, në pjesën e thonjve dhe jo vetëm pëllëmbën apo kurrizin e dorës.
Lini ujin e nxehtë për të paktën 10 sekonda të rrjedhë mbi duart tuaja, në mënyrë që të largohen të gjitha gjurmët e sapunit. Po kështu, edhe tharja e duarve është shumë e rëndësishme, në veçanti për bukurinë e tyre. Tregoni kujdes me ajrin e nxehtë apo të ftohtë me të cilin thani duart. Gjithashtu, nëse i thani me peshqirë apo me letra të buta, kujdesuni që ato të jenë tepër të pastra.
Për duar edhe më të pastra mund të aplikoni një xhel me pak alkool, pasi t’i lani e shpëlani duart mirë, për një higjienë të përsosur.