DYLON

Lamtumirë, Xhevat Ukshini!

Lamtumirë, Xhevat Ukshini!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Selajdin Abdullahu

Sot kishte ndërruar jetë një shok, një atdhetar, një doktor i mirë, një piktor, një talent i jashtëzakonshëm, nga Komogllava e Ferizajit, Xhevat Ukshini.

EkoHigjiena

Me Xhevatin e patëm rastin të njiheshim në burgun e Gjilanit gjatë vitit 1986-87, si të burgosur politikë.

Ishte ambicioz i zgjuar i ditur i edukuar dhe shumë i sjellshëm e human. Në atë kohë ai ishte student i mjekësisë dhe me njohuritë që kishte ndihmonte shumë shokët e torturuar e në veçanti Begzad Sinanin i cili kishte pësuar shumë. Xhevati ishte dënuar për veprimtari atdhetare me 5 vite burg të rëndë. Në burgun e Gjilanit kushtet ishin të rënda i kam përshkruar edhe në raste të tjera. Xhevati dhe të burgosurit e tjerë politikë vetëm lexonin dhe studionim ato pak libra e revista që kishim. Lapsi aty ishte i ndaluar, na ofrohej një fysht i plastikës i nxjerrur nga stilolapsi njëhere në javë për t’i shkruar në kohë të caktuar një letër familjes. Nuk lejoheshin shkrepsat me gas e vajguri, vetëm shkrepsa me fije druri. Me fije të shkrepses të karbonizuara, më bëri një vizatim-portret në faqen e mbrapme të aktakuzes së tij dhe e kishte ruajtur për 40 vjet për të ma dërguar para një kohe.

Duhej ruajtur mirë dhe kujdes sepse për gardianët dhe UDB-në lapsi në burgun e Gjilanit ishte mjeti më i rrezikshëm në ato kohë.Shumë herë na bënin kontrolle të rrufeshme duke na konfiskuar shkrime të ndryshme letrare,si poezi e tekste të këngëve për heronjtë e rënë për liri.Shkrimet e konfiskuara dërgoheshin te “analistët”-ekspertët porositës.Të gjitha ato shkrime e letra që i tmerronin pushtetmbajtësit do i tejkalonin për nga vlera artistike edhe “Letra nga burgu” të Antonio Gramshit!

Xhevati i ka bërë edhe shumë portrete të burgosurve politikë nëpër burgje të ndryshme.Sot ishim shumë shokë për t’i dhënë lamtumirën e fundit si Fazli Abdullahu, Elmi Reçica, Begzad Sinani, Nuhi Ahmeti, Abdulla Derguti, Sabit Gashi, Lumni Salihu dhe Valoni e Arditi.

Lavdi e përjetshme jetës dhe vepres së atdhetarit Xhevat Ukshini ! /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.