Lajçakofobia e (pa)arsyeshme!

Lajçakofobia e (pa)arsyeshme!

Pas arrestimit të dy drejtuesve të OVL të UÇK-së, emri më i përfolur ishte Gjykata Speciale, ndërsa tani pas kërkesës për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, emri më i përmendur në Kosovë është ai i të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak!

Shkruan: Florim Zeqa

Ata që sollën specialen, e sollën edhe “zajednicën”

Por çuditërisht askush nuk po merret me shkaktarët vendor që sollën Gjykatën Speciale, Asociacionin dhe jo vetëm!

Nënshkrues të marrëveshjeve të dëmshme dhe fatale për vendin nuk janë Lajçaku, Borrelli dhe as Grenelli, por kryeministrat e vendit tonë.

Marrëveshjet e dëmshme për vendin nuk i ka miratuar Parlamenti Evropian dhe as Kongresi Amerikan, por i ka miratuar Parlamenti i Kosovës, përkatësisht deputetët shqiptar të zgjedhur me votën e popullit të Kosovës.

Nuk duhet marrë me frikë dhe as tragjike kërkesat e Borrelit dhe Lajçakut, të këtyre dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë, por duhet trajtuar dhe kuptuar si tragjike gatishmërinë e liderëve tonë shtetëror dhe partiak, politikanëve dhe deputetëve që negociojnë me armiqtë e shtetit integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit tonë.

Nuk ishte Lajçaku, Borreli dhe as Grenelli që i falen Maqedonisë dhe Malit të Zi rreth 11000 hektarë tokë të Kosovës, nuk ishin këta që nënshkruan dhe as votuan Gjykatën Speciale, Asociacionin, kalimin e tokave komunale në pronësi të manastireve dhe kishave ortodokse serbe, por ishin liderët politik dhe deputetët e zgjedhur me votën e popullit kosovarë.

Sikurse të ndodhnin në kohën e duhur reagimet e koordinuara të skenës politike dhe shoqërisë civile, sot nuk do të bëhej fjalë për specialen dhe asociacionin e komunave serbe.

Mirëpo për fatin e keq të Kosovës, në kohën kur u nënshkruan këto dy marrëveshje të dëmshme për shtetin, nuk kishte reagime dhe kundërshtime kaq të fuqishme siç po ndodhin këtyre ditëve të fundit!

Reagimi i i vonuar i politikanëve më shumë i ngjet “shiut pas të vjelave” sesa një vendosmërie të sinqertë për të penguar diçka!

Jo ndryshimit të kushtetutës sipas kërkesave të Lajçakut

Nuk ka dyshim se kushtetuta e vendit ka nevojë të ndryshohet për shumçka tjetër, por jo për themelimin e asociacionit të komunave serbe.

Lajçaku paraprakisht kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duhet t’i drejtohet parlamentit serb për ndryshimin e kushtetutës serbe e cila në preambulën e saj e mban Kosovën pjesë integrale të Serbisë.

Është e vërtetë e madhe që Kushtetuta e Republikës së Kosovës është pengesa e vetme për themelimin e AKS-së (Zajednicës), dhe është mirë që është kështu, për arsye se, sa për qëndrueshmërinë e liderëve tonë kjo punë do të ishte harruar siç u harrua Çakorri dhe pjesët tjera që ju dhuruan Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Ishte Gjykata Kushtetuese ajo që kishte konstatuar shkeljen e 23 neneve të kushtetutës me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së 25 Gushtit 2015 në Bruksel në mes (dy kryeministrave) Aleksandër Vuçiq dhe Isa Mustafa, duke konfirmuar se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë një nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë.

Përderisa marrëveshja e parë e 19 prillit 2013 (Thaçi-Daçiq) i vuri themelet e AKS-së, marrëveshja e 25 gushtit 2015 (Mustafa-Vuçiq) i betonizoi ato themele duke i fuqizuar me kompetenca ekzekutive.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me këto dy marrëveshje të dëmshme, ish dy kryeministrat paraprak, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e kanë futur Kosovën në obligime të mëdha ndërkombëtare, nga të cilat, edhe pse vështirë, nuk është e pamundur të dilet!

Me kushtetutë në mbrojtje të territorit

Pas dështimeve të njëpasnjëshme në dialog, në veçanti në dialogun e Brukselit, edhe pse e pamjaftueshme për marrëveshjet ndërkombëtare, e vetmja mundësi për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit është KUSHTETUTA, gjegjësisht respektimi i ligjeve të kushtetutës që garantojnë Kosovën shtet unitar, pa asociacione etnike.

Nuk kemi arsye t’i frikohemi Lajçakut, Borrelit dhe as Grenellit, por duhet t’iu frikohemi atyre shqipfolësve që për dy dekada masakruan ekonominë e Kosovës, atyre që në emër të privatizimit grabiten të gjitha pasuritë publike të shtetit duke blerë (përvetësuar) toka bujqësore në çmim qesharak “1 ari tokë për një 1 euro” dhe duke uzurpuar prona publike pas asnjë cent.

Ata që i bënë “kabull” të gjitha këto mëkate në dëm të shtetit dhe qytetarëve, dhënien e territorit të vendit nuk e kanë problem, mjafton të mos u preken tokat dhe pronat e tyre.

Prandaj, fati i asociacionit dhe i veriut të vendit në përgjithësi mbetet në dorën e deputetëve, ku pa 2/3 (dy të tretat) e votave të tyre nuk mund të ndryshohet Kushtetuta dhe as të votohet asnjë marrëveshje e dëmshme për vendin.

Deputet shqiptar mos shkelni mbi betimin e dhënë, mos i përsërisni gabimet e legjislaturave të kaluara! /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE