(2LONLINE) – Komiteti për Zhvillim Ekonomik (KZHE) ka mbajtur të martën takimin e radhës, nën kryesimin e Jehona Hysenit, ku është informuar për gjendjen pas vërshimeve dhe dëmet në bujqësi si dhe për projektet që janë duke u realizuar nga donatorët dhe qeveria si dhe përgatitjet për mbajtjen e konferencës së donatorëve. Informatat për këta dy sektorë i kanë paraqitur, Ramiz Ramadani, drejtor i Bujqësisë dhe Ismajl Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik.
Jehona HYSENI
Jehona Hyseni, kryesuese e KZHE ka thënë se vërshimet e fundit kanë shkaktuar dëmet në bujqësi dhe ka mirëpritur informatën e drejtorit Ramiz Ramadani, i cili ka thënë se komisioni është duke e përfunduar punën e tij dhe shumë shpejt do të dlet me vlerësimin.
Ndërkaq, sa i përket pjesës së projekteve zhvillimore, të cilat i ka prezantuar drejtori Ismajl Jonuzi, kryesuesja e KZHE e ka inkurajuar Drejtorinë e linjës që të bëjë të gjitha përpjekjet për realizimin e sa më shumë investimeve, sepse zhvillimi është interes i qytetarëve të komunës së Gjilanit.
Përndryshe, Ramiz Ramadani tha se dëmet nga vërshimet janë të konsiderueshme, por saktësisht do të dihen pasi komisioni të përfundojë punën e tij. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në pronat përgjatë lumit Morava, pastaj në fshatrat e Zhegrës.
Ramadani tha se raporti i dëmeve do t`i dorëzohet Ministrisë së Bujqësisë, me kërkesë për zhytim të fermerëve, meqë Komuna nuk ka mundësi ta bëjë këtë. Por, në të ardhmen, edhe Komuna duhet të krijojë një fond për fatkeqësi elementare, ka thënë Ramadani.
Ramiz RAMADANI
Sa i përket lumit Morava, i cili kur tërbohet merr me vete tërë mundin e bujqve, ai ka thënë se rregullimi i shtratit është prioritet për Komunën e Gjilanit dhe se janë duke u shikuar mundësitë si mund të realizohet ky projekt.
Ndërkaq, Ismajl Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se Komuna e Gjilanit po synon që përmes nxitjes së investimeve të jashtme, të realizojë sa më shumë projekte, që janë të nevojshme për të rregulluar infrastrukturën bazike si dhe për zhvillim e hapje të vendeve të reja të punës.
Ismajl JONUZI
Në Gjilan është pritur që këtyre ditëve të mbahet konferenca e donatorëve, por duket se ajo do të shtyhet për shkak të zgjedhjeve, për të mos i dhënë favor ndonjë subjekti që të përfitojë nga kjo. Përndryshe Komunë e Gjilanit pret shumë nga konferenca e donatorëve, ku ka aplikuar me katër projekte, me vlerë të përgjithshme rreth 12 milionë euro.
Projekti i ndërtimit të administratës komunale ka vlerë 2.564.452 euro, rregullimi i kanalizimit dhe shtratit të lumit Stanishor – 3.625.872 euro, rruga magjistrale Gjilan -Prishtinë (segmenti nga penda e Livoçit) – 3.356.459 euro si dhe projekti për ndërtimin e parkut industrial – 2.170.000 euro.
Përndryshe, gjatë tre muajve të kaluar, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka hartuar politika zhvillimore, që kanë për qëllim nxitjen e investimeve të jashtme. Janë përgatitur projekte dhe është aplikuar në disa programe të Komisionit Evropian, EURED-it, të MAPL-së dhe të tjera.
Në programin e Komisionit Evropian “Kosova e bukur” janë dorëzuar dy projekte, njëri për ndërtimin e parkut të qytetit në lagjen “Dardania 1”, ndërsa tjetri për ndërtimin e terreneve sportive si dhe izolimin e objekti të shkollës fillore në fshatin Bresalc.
Në projektet e bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë-Maqedoni, komunat Gjilan dhe Qair (Shkup) kanë konkurruar me një projekt të përbashkët për artizanale. Në këtë program kanë aplikuar edhe organizata REA dhe shoqata “Fruti&Morea”.
Në programin EURED është aplikuar me projekte të zhvillimit ekonomik lokal, zhvillimin e inkubatorit të biznesit si dhe për disa pika të grumbullimit të qumështit, si nevojë për zhvillimin e blegtorisë, të cilës po i kushtohet rëndësi e veçantë.
Në MAPL, komuna e Gjilanit ka konkurruar me projektet për ndërtimin e trotuarit përgjatë rrugës “Mulla Idrizi” – Zabeli i Sahit Agës si dhe për ndërtimin e sallës së sporteve për shkollën “Rexhep Elmazi” në lagjen “Dheu i Bardhë”, ka thënë Januzi.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjet e Agron Shurdhanit (VV), Fatmir Hoxhës (LDK), Bashkim Shalës (PDK) e Hevzi Xhelilit (PDK), rreth këtyre projekteve, e sidomos atij për parkun industrial, që është planifikuar të bëhet në Livoç, duke thënë se parqet industriale janë treguar të suksesshëm kudo në botë. /2lonline/