Ndaj Serbisë rreshtimi taktik i Kombëtares Shqiptare nuk pritet të ndryshojë, me trajnerin Gianni De Biasi që i mbetet besnik skemës 4-3-3. Në seancën e fundit stërvitore 59-vjecari ka punuar shumë me lojtarët që pritet të jenë titullarë në “Elbasan Arena”. Formacioni pritet të ndryshojë krahasuar me sfidën e fundit të humbur ndaj Portugalisë, kjo edhe falë rikthimeve në skuadër.
Në portë Etrit Berisha është i padiskutueshëm, teksa ndryshime do të ketë në repartin e mbrojtjes. Ansi Agolli ka bërë për vete pozicionin e tij në të majtë me Elseid Hysajn që rikthehet në të djathtë pas mungesës për arsye dëmtimi në takimet me Danimarkën dhe Portugalinë.
Xhimshiti që debutoi pikërisht në Kopenhagen do të jetë partneri i kapitenit Lorik Cana në qendër duke ulur në stol Arlind Ajetin. Mesfusha është një tjetër repart që pritet të ndryshojë me Migjen Bashën që rikthehet në qendër të saj, në të majtë Taulant Xhaka ndërsa në të djathtë mund të kemi rikthimin e Andi Lila.
I konfirmuari i radhës në formacion pritet të jetë Ermir Lenjani në të majtë të sulmit, pritet të ketë si partnerë fantazistin Ledian Memushaj dhe sulmuesin Bekim Balaj.