KV Drita U20 shpallet Kampion i Kosovës për sezonin 2025/2026
Një tjetër sukses i madh për Klubin e Volejbollit Drita (M), e cila pas të qenit kampion me skuadrën U18, tani është kampion edhe me U20.
Pas triumfit në kategorinë U18, për herë të parë në histori të klubit skuadra e volejbollit Drita shpallet kampione edhe në kategorinë U20, duke dëshmuar punën, përkushtimin dhe talentin që po ndërtohet çdo ditë në këtë klub.
Në një finale spektakolare dhe plot emocione ndaj KV Prishtina, djelmoshat e skuadrës gjilanase arritën fitore me rezultat 3-2 në sete, duke treguar karakter të madh dhe shpirt luftarak deri në pikën e fundit.
“Kjo fitore është rezultat i punës së palodhshme të lojtarëve, trajnerëve dhe gjithë stafit që besuan deri në fund. Krenarë me djemtë tanë që po shkruajnë histori për klubin tonë. Urime të gjithëve për këtë sukses të jashtëzakonshëm, e ardhmja është e Dritës”, thuhet në njoftim zyrtar të klubit “bardh e kaltër”. /2LONLINE/
