Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, ka thënë se Kosova nuk ka alternativë më të mirë përveçse Kuvendi të votojë në favor të Tribunalit apo Gjykatës Speciale për krime lufte. Në bisedë për “Epokën e re”, Maloku ka deklaruar se në raport me këtë çështje Kosova duhet t’i shmanget Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Kosova nuk ka alternativë dhe kohë në këtë drejtim. Tani nuk mund të hyjmë në histori se si ka ardhur deri këtu. Tani janë dy momente të rënda për Kosovën, të cilat brenda një afati shumë të shkurtër kohor duhet të kalojnë në Kuvend. Alternativë mund të jetë Këshilli i Sigurimit, që kishte me qenë shumë katastrofal për Kosovën dhe për ata të cilët do ta kenë fatin të hetohen. Në rast se Kosova lejon që për këtë çështje të vendosë Këshilli i Sigurimit, praktikisht fuqizohet Rezoluta 1244, sepse në bazë të kësaj rezolute KS-ja e themelon tribunalin”, është shprehur Maloku.
Në këtë kontekst, Maloku ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe partitë politike të reflektojnë karshi kësaj gjykate speciale.“Deputetët e Kuvendit duhet të reflektojnë prej dy të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës, në mënyrë që ta zgjedhin atë që është më pak e dëmshme. Deputetët e Kuvendit patjetër duhet t’i ikin Këshillit të Sigurimit. Nëse tribunali votohet në Kuvend, atëherë në një farë forme ky tribunal do të mbahet me legjislacionin e Kosovës dhe në një farë forme Kosova është bashkëpjesëmarrëse dhe bashkëthemeluese e këtij institucioni. Nëse lejohet të vendosë KS-ja, atëherë ajo vendos për juridiksionin dhe për personelin i cili do të gjykojë”, ka thënë Maloku. Ai ka thënë se ka ardhur koha të përmbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli ndaj gjykimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Personalisht mendoj se përmbyllja e një gjyqi për UÇK-në dhe pjesëmarrësit e saj do të ndikonte të mbyllej njëherë e përgjithmonë ky kapitull. Pra, drejtësia e mbyll këtë kapitull dhe as shtetet, as partitë politike, as mediet dhe as individët nuk mund të merren me UÇK-në. Do të isha shumë i lumtur sikur të mbyllej ky kapitull në mënyrë që t’i kthehemi së ardhmes”, ka thënë Maloku.