Kuvendi i Kosovës do të debatojë për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, në seancën e së enjtes. Kryesia e Kuvendit i dha përkrahje nismës për debat të ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se një herë e mirë, politika duhet t’i largojë duart nga Universiteti i Prishtinës.
Gjendja në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” do të jetë njëra ndër çështjet kryesore në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kërkoi që të ndërpritet ndikimi i politikës në Universitetin e Prishtinës, siç ka thënë ai, si nga brenda ashtu edhe jashtë saj.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se debati i së enjtes nuk është i thirrur vetëm për zhvillimet e fundit në UP, por sipas tij, për të diskutuar edhe problemet e trashëguara të këtij institucioni. Ai tha se njëra ndër rekomandimet që do ta paraqesin në debat, është kërkimi i përgjegjësisë.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, kërkoi nga drejtuesit e UP-së, të cilëve po u kërkohet dorëheqja, që ta bëjnë një gjë të tillë përpara se të ndodh debati në Kuvend.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka bërë thirrje për zgjidhjen e situatës së krijuar në Universitetin e Prishtinës. Ai përmes Facebook-ut ka njoftuar se me tu kthyer nga Konferenca e Munihut për Sigurinë, ka thirrur ministrin e arsimit, Ramë Buja për të raportuar mbi situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës.
“Duke respektuar autonominë e Universitetit të Prishtinës u bëj thirrje organeve përkatëse të universitetit që të dëshmojnë nivel të lartë përgjegjësie, dhe, në bazë të statutit të Universitetit të Prishtinës si dhe legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, të angazhohen për ta zgjidhur këtë situatë”, ka shkruar kryeministri Thaçi.