DYLON

Kuvendi pasqyrë e vetëdijes shoqërore!

Kuvendi pasqyrë e vetëdijes shoqërore!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Florim Zeqa,

Deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë janë bërë për t’i kënduar me atë këngën e ahengjeve familjare “Kqyrni shoqe çka ka rritur nana”, dhe vërtetë duhet adresuar pyetjen logjike të gjithë atyre që i kanë votuar këta deputet të papërgjegjshëm: “Kqyrni popull kë e keni zgjedhur për deputet në Kuvendin e Kosovës”?!

EkoHigjiena

Nga tempull i demokracisë në shtëpi të turpit dhe marrëzisë

Pamjet trishtuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës, turpëruese dhe fyese për qytetarët (mërgimtarët), u bënë tërheqëse për armiqt e Kosovës!

Gjuha fyese, mënyra primitive dhe arrogante e komunikimit mes deputetëve e shpërfaqi mungesën e kulturës qytetare dhe politike të disa prej deputeteve dhe deputetëve të zgjedhur dhe jo vetëm!

Pasi, ata deputet dhe deputete arrogante të ardhur në Kuvend me votën e qytetarëve (mërgimtarëve) ia qitën faqen e zezë mbarë Kosovës para syve të botës!

Në mungesë të gazetave të shtypura, portalet vendore vërshuan me video-inçizimet e përplasjeve mes deputetëve, ballinat e shtypit rajonal dhe atij botëror u mbushen me pamjet e llahtarshme në Kuvendin e Kosovës, të filluara me gjuajtjen e vezeve dhe ujit e deri tek përleshjet fizike!

Skenat e pahijshme në Kuvendin e Kosovës duhet t’i thërrasin ndërgjegjës qytetare, që në të ardhmen të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e votës, pasi përleshjet e deputetëve në Kuvend, në mënyrë të tërthortë janë përgjegjësi e 36 % votuesve, por jo edhe e atyre që nuk i kanë votuar (64 %).

Qytetari në momentin e votimit e merr përgjegjësinë morale për votën e tij

Një fjalë e urtë e thotë bukur dhe kjartë: “Secili popull e ka qeverinë që e meriton”!

Sikurse qeveria, edhe përbërja e Parlamentit janë produkt i votës qytetare!

Kur nuk ke për kë voton!

Më mirë është të abstenosh nga procesi i votimit sesa të sjellësh maskarenj në Kuvend!

Mungesa e kandidatëve të pavarur për deputet ka bërë që qytetarët më shumë të votojnë për parti politike, duke mos i kushtuar kujdes të mjaftueshëm kandidatëve në listat zgjedhore!

Vota vetëm për parti nuk është votë e lirë! Në të shumtën e rasteve është votë e imponuar dhe inatçore, e ndikuar nga interesat personale apo grupore brenda sojit (partisë)!

Vota e papeshuar mirë e qytetarëve, e ka sjellë në Kuvend gjuhën e rrugaqërisë, injorancën, arrogancën e shfrenuar dhe dhunën fizike!

Kjo që po ndodhë në Parlament dhe jashtë tij është e papranueshme!

Kacafytja mes femrave ishte e paparë deri më tani në Kuvendin e Kosovës!

Të paktën deri më tani, deputetet e kishin një imazh më të mirë sesa deputetët në Kuvend, nga kjo legjislaturë u bën njësoj si meshkujt ashtu edhe femrat!

Shumica e deputetëve të zgjedhur sikur kanë harruar se Kosova është çliruar me gjak dhe sakrifica të panumërta me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare!

Edhe fazat e ndërtimit të institucioneve shtetërore nuk ishin të lehta!

Duhet pasur respekt për secilën periudhë të shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës!

‘Koloseumi i gladiotorëve’ me kostume intelektualësh

Deputetët/et e rinj dhe të vjetër në moshë, ia mësyjnë Kuvendit të veshur dhe të pispillosur, flokët e lagura me gel dhe fytyrën e mbushur plot makiazh, por dalin nga aty si pula të nukta dhe gjela të gjakosur nga ‘beteja’ në Parlament!

Kuvendi nuk është ‘Koloseum gladiatorësh’ ku fituesin e përcakton forca fizike!

Forca e argumenteve duhet t’ia zë vendin forcës së muskujve!

Tempulli i demokracisë duhet të jetë vend ku flitet me fakte dhe argumente, me gjuhën e butë dhe arsyen e shëndoshë, kur respektohet mendimi ndryshe dhe vlerësohet dinjiteti njerëzorë!

Kur deputetët sillen me arrogancë nuk iu ngjanë më deputetëve, por gladiatorëve që luftojnë deri në vdekje për të fituar trofeun (pushtetin e premtuar me poste nga partia), duke e kthyer kështu Kuvendin në arenë përplasjesh fizike!

Aq të ashpra janë sjelljet e të zgjedhurve të popullit saqë gjuha fyese dhe ofendimet nuk ju bëjnë më përshtypje qytetarëve, pasi ato iu duken arenë cirku, me ç’rast shpërthejnë debatet mes qytetarëve: “kush kë e lagu më shumë”, “kush kujt ia nguli më shumë”, “kush ishte më i forti e cili ishte më i ligu në ballafaqimin fizik në Parlament”?!

Në fakt, ky është diskursi i politikës ditore në Kosovë!

Deputetët e zgjedhur me rekomandim të liderëve partiakë me të hyrë në Kuvend kthehen në pengje të liderit dhe klaneve në parti, duke harruar se janë përfaqësues të popullit që i ka zgjedhur me votën e lirë!

Skenat në Kuvendin e Kosovës janë produkt i asaj që qytetarët (mërgimtarët) vetë i kanë zgjedhur! Sjelljet e deputetëve dhe deputeteve janë pasqyrë e vetëdijes shoqërore, e cila asnjëherë nuk ka qenë në nivelin më të ulët së paku në këto dyzet vietet e fundit! Degradimi i deputetit pasqyron gjendjen reale të shoqërisë sonë! /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.