(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka themeluar të mërkurën 7 komitete, si trupa ndihmëse profesionale të vendimmarrjes, duke e kompletuar kështu strukturën e vetë organizative. Më herët ishin themeluar Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) dhe Komiteti i Arsimit (KA). Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se të gjitha Komitetet, obligative dhe joobligative, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për punën e Kuvendit Komunal, sepse e ndihmojnë atë me rekomandime konkrete në fushat përkatëse.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se të gjitha grupimet politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal, kanë përfaqësim dhe nëpër Komitete.
Sa i përket vërejtjes së përfaqësueses së PDK-së, Arzie Nuhiu, e cila tha se ky subjekt ka qenë dashur t`i ketë dy vende në Komitetin për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Gjinore, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka sqaruar se në marrëveshje me subjektet politike është ndryshuar formula e përfaqësimit, për t`iu krijuar mundësi edhe subjekteve të vogla që të kenë nga një anëtar në ndonjërin prej këtyre trupave.
Prandaj, LDK e PDK janë pajtuar që të tërheqin nga 2 kandidatë të propozuar për komitete të ndryshme, ndërsa AAK e VV – nga një kandidat, ka thënë ajo, duke sqaruar se këta kandidatë do të dërgohen në Komitetin për Kosovë Lindore, që do të themelohet ndërkohë.
Komitet, sipas rregullores kanë nga 7 anëtarë, pos atij për Politikë dhe Financa, që ka 9 anëtarë dhe udhëhiqet nga kryesuesja e Kuvendit Komunal.
Në Komiteti për Komunitete, kryesues është zgjedhur Kemal Shahin nga komuniteti turk, i cili e ka udhëhequr këtë trup në 12 vitet e kaluara. Kryesues i Komitetit për Shëndetësi u zgjodh Imet Rrahmani, i Komitetit për Planifikim Urban – Murat Hoxha, i Komitetit për Zhvillim Ekonomik – Jehona Hyseni, i Komitetit për Shërbime Publike – Isa Agushi, i Komitetit për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Gjinore – Shpresa Kurteshi, ndërsa i Komitetit për Pronë, Kadastër dhe Rindërtim – Nevzad Rushiti. Më herët, kryesues i Komitetit për Arsim është zgjedhur Arben Mehmeti.
Kryesuesit e Komiteteve janë nga LDK-ja, si partia më e madhe qeverisëse dhe shumica e tyre janë zgjedhur me votat e shumicës, me përjashtim të Vetëvendosjes, që ka abstenuar në disa prej votimeve.
Është interesant se kryesuesi i Komitetit për Shërbime Publike, Isa Agushi (LDK) u propozua nga përfaqësuesi i PDK-së, Ilir Tahiri, si kundërkandidat i Ramadan Ajvazit (LDK), i cili u tërhoq nga gara në shenjë pajtimi me propozimin e dytë. “Isa Agushi është veteran i luftës, prandaj e propozova që të jetë kryesues i Komitetit për Shërbime Publike”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se në këtë rast, nuk ka rëndësi partia.
Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi u ka dëshiruar punë të mbarë Komiteteve, duke kërkuar që në punën e tyre, gjithmonë t`i kenë parasysh interesat e qytetarëve./2lonline/