Kuvendi Komunal miraton vendimin për subvencionimin e familjeve strehuese
Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu Qerimi, ka bërë të ditur se Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar propozim-vendimin për subvencionimin e familjeve strehuese, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në mbështetjen e fëmijëve që kanë nevojë për kujdes dhe ambient familjar.
Sipas drejtoreshës Kadriu Qerimi, me këtë vendim Komuna e Gjilanit bëhet komuna e dytë në nivel vendi për nga madhësia e mbështetjes financiare për familjet strehuese.
Mbështetja komunale do të përfshijë 200 euro në muaj për familjen strehuese, si dhe nga 100 euro shtesë për secilin fëmijë të strehuar. Kështu, një familje që strehon një fëmijë do të përfitojë 300 euro në muaj, ajo me dy fëmijë 400 euro, ndërsa familja me tre fëmijë 500 euro.
Mbështetje e veçantë është paraparë edhe për familjet që strehojnë fëmijë me aftësi të kufizuara. Në këto raste, familja do të përfitojë 200 euro mbështetje bazë dhe nga 200 euro shtesë për secilin fëmijë me aftësi të kufizuara.
Drejtoresha Kadriu Qerimi ka theksuar se kjo mbështetje financiare nga Komuna e Gjilanit do t’i shtohet asaj që familjet strehuese tashmë e përfitojnë nga niveli qendror.
Ajo ka vlerësuar se vendimi nuk përfaqëson vetëm ndihmë financiare, por edhe një formë mirënjohjeje dhe vlerësimi institucional për familjet që, me përkushtim dhe përgjegjësi humane, ofrojnë kujdes, dashuri dhe siguri për fëmijët që kanë nevojë për një ambient familjar.
Me këtë rast, drejtoresha e DSHMS-së u ka bërë thirrje të gjitha familjeve që kanë vullnet dhe dëshirë të bëhen familje strehuese, që të drejtohen pranë institucioneve përkatëse për t’u informuar rreth procedurave dhe mundësive të strehimit familjar.
Në fund, Kadriu Qerimi ka falënderuar asamblistët që mbështetën propozim-vendimin, duke theksuar se Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale do të vazhdojë angazhimin për politika konkrete që vendosin fëmijën, familjen dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të përgjegjësisë institucionale.
“Çdo fëmijë meriton një familje, dashuri, kujdes dhe siguri”, ka theksuar ajo. /2LONLINE/
