(2LONLINE) – Gjilani ka humbur një edukatore të vyeshme, Dije Berishën, e cila ishte sinonim i emrit që mbante në gjithë rrugëtimin e saj jetësor, deri në momentet e fundit, kur iku në përjetësi papritur. Me rastin e vdekjes së hershme të edukatores Dije Berisha-Vokshi, Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka mbajtur mbledhje përkujtimore.
“Dija ishte shembull i vajzës së mirë, i bashkëshortes së mrekullueshme dhe i edukatores së suksesshme, e mbi të gjithë ishte shembull i njeriut që këtë kohë e shënoi me emrin e saj”, ka thënë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.
Jyksel Gjinolli, drejtoreshë e shkollës “Thimi Mitko” ku punoi e ndjera, tha se Dija ishte diell për fëmijët me të cilët punoi. Ajo kishte shumë dëshira, por dëshira e saj më e madhe ishte që fëmijët të ecnin në rrugën e dijes, të dritës dhe ardhmërisë. Dija ishte edukatore model e shkollës sonë, por vdekja u tregua e pamëshirshme dhe e mori para kohe. Vdekja e tillë ka qenë gjithmonë, tha Gjinolli.
Dhembjen e tij me familjarët, miqtë dhe qytetarët e Gjilanit, për këtë humbje, e ka ndarë edhe Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, i cili tha se Dija e realizoi shpejt jetën e saj, ashtu siç edhe iku shpejt nga kjo botë.
Ajo ishte personifikim i dijes, i kulturës i mirësjelljes. Ajo ishte shembulli më i mirë i gjeneratës sime, me të cilën kaluam të njëjtat rrugë të qytetit, mësuam në të njëjtën shkollë, ku Dija u kthye më vonë si edukatore, ka thënë Haziri.
Haziri tha se kujtimi për Dijen do të jetë i përhershëm. Prej vitit të ardhshëm, 7 e 8 marsi nuk do të jenë vetëm Dita e Mësuesit dhe Dita e Gruas, por në Gjilan do të jenë edhe ditë e kujtimit për Dijen, për shembullin e saj të mirë, për madhështinë e saj në jetë.
“Dija ishte shembull i vajzës së mirë, i bashkëshortes së mrekullueshme dhe i edukatores së suksesshme, e mbi të gjithë ishte shembull i njeriut që këtë kohë e shënoi me emrin e saj. Ajo e ka mbushur këtë qytet me dije, me edukatë, me buzëqeshje, me jetë. Ajo ka rrezatuar jetë për të gjithë ne. Tash e pas, Dija do të jetë një yll që do të shndërrit për të gjithë ne”, ka thënë Haziri./2lonline/