DYLON

Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne për nder të 18 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kamenicës

Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne për nder të 18 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kamenicës
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të manifestimeve për shënimin e 18 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kamenicës, Kuvendi Komunal mbajti sot seancë solemne, në të cilën morën pjesë Kryesuesja e Kuvendit Komunal Arbnore Beqiraj-Fera, Kryetari i Komunës Kadri Rahimaj, Nënkryetarja e Komunës Arta Bajralija, Kryetari i OVL-UÇK-së – dega në Kamenicë Milaim Limoni, Kryetari i Bashkësisë Islame Ferid Dërmaku, përfaqësuesuesi i FSK-së Major Gëzim Osmani, asamblistë të Kuvendit Komunal, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe mysafirë të ftuar.

Seancën e hapi Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, e cila theksoi rëndësinë historike të kësaj date dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për sakrificën e atyre që e bënë të mundur lirinë.

EkoHigjiena

“Sot, me krenari dhe mirënjohje të thellë, shënojmë Ditën e Çlirimit të Kamenicës, ditën kur liria triumfoi mbi sakrificën dhe shpresa mbi vuajtjen. Mënyra më e mirë për t’i nderuar ata që dhanë jetën për lirinë është të punojmë çdo ditë për zhvillimin e komunës sonë, për mirëqenien e qytetarëve dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Le të mbetet kjo ditë simbol i unitetit, respektit dhe përgjegjësisë sonë për ta ruajtur e forcuar lirinë që e fituam me shumë sakrificë”, ka thënë Kryesuesja Beqiraj-Fera.

Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, tha se 18 Qershori është një ditë që rikujton sakrificën, idealin dhe përkushtimin e të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit, duke theksuar se mirënjohja ndaj tyre shndërrohet në vepra konkrete për zhvillimin e komunës.

Ai theksoi se liria nuk nënkupton vetëm mungesën e luftës, por edhe ndërtimin e një shoqërie ku qytetarët jetojnë me dinjitet dhe perspektivë.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Kamenicë, komandanti Milaim Limoni theksoi rëndësinë historike të 18 Qershorit, duke kujtuar sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e luftëtarëve të lirisë.

“Sot jemi mbledhur në këtë seancë solemne për të shënuar një nga datat më të rëndësishme në historinë e komunës sonë – Ditën e Çlirimit të Kamenicës. Kjo është një ditë krenarie, respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë që gëzojmë sot. Çlirimi i Kamenicës nuk ishte vetëm fundi i një periudhe të errët shtypjeje dhe padrejtësie, por ishte fillimi i një epoke të re, e ndërtuar mbi idealet e lirisë, dinjitetit dhe të drejtës për të jetuar të lirë në vendin tonë,” u shpreh Limoni.

Ai shtoi se nderimi më i madh për dëshmorët dhe të rënët është puna e përditshme për zhvillimin e vendit dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Seanca solemne u përmbyll me mesazhin se liria e fituar me sakrificë duhet të ruhet dhe të forcohet çdo ditë përmes angazhimit të përbashkët për zhvillimin e Kamenicës, mirëqenien e qytetarëve dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.