(2LONLINE) – Në seancën e sotme të rregullt të Kuvendit Komunal të Vitisë, janë shqyrtuar një sërë pikash më rëndësi, ndër to është shqyrtuar Plani i Punës së Kuvendit, propozim vendimi për caktimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit, Pasqyrat financiare për periudhën Janar-Mars 2014, është shqyrtuar propozim vendimi për formimin e komiteteve konsultative dhe komiteteve tjera jo obligative, shqyrtim propozimi për formimin e komisionit për emërtimin e rrugëve në komunën e Vitisë duke përfshirë edhe fshatrat, si dhe janë shqyrtuar propozim vendimet për shpalljen e zonave me interes të përgjithshëm në Viti dhe Ramjan.
Ndër pikat tjera është shqyrtuar edhe propozim vendimi për formimin e komisionit vlerësues dhe zbatimin e procedurave për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës së Vitisë. Këshilltarët kanë paraqitur edhe disa shqetësime siç është ajo e vërshimeve të ditëve të fundit, çështjen e bursave për student, për mos përfundim të projekteve të nisura më parë etj.
Në këtë seancë është bërë zyrtare edhe kalimi I dy ish-këshilltarëve të PDK-së Daut Xhemajli e Selvije Rexhepi të cilët tani do të jenë përfaqësues të “Nismës…,” ndërkohë që është bërë zëvendësimi I shefit të grupit parlamentar të AAK-së që është emëruar Mirlinda Sadiku në vend të Visar Demirit I cili ka kaluar ditë më parë në PDK.
Për shqetësimin e mosdhënies së bursave për student gjatë këtij viti, zv.kryetari I komunës Hasan Aliu tha se nuk do të ketë bursa për student për shkak se nuk është paraparë me buxhet që në këtë vit akademik të ketë bursa dhe na mbetet që me buxhetin e ardhshëm, do të parashihet që viti akademik 2014/2015 të komuna e Vitisë jap bursa për student.
Lidhur me vërshimet e ditëve të fundit që këtë shqetësim e paraqiti këshilltarja e AAK-së Mirlinda Sadiku, zv.kryetari Aliu tha se komuna në vazhdimësi është në kërkim të donatorit për rregullimin e shtratit të lumit Morava e Binqës, një projekt kapital që sillet rreth 1.9 mil euro.
Ndër pikat që më së shumti nxiti debat ishte shqyrtimi I pasqyrave financiare për periudhën Janar-Mars 2014, me që rast drejtori I Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama tha se kemi një ulje të shpenzimeve nëpër të gjitha drejtoritë komunale gjatë këtij tremujori të parë në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ndër shpenzimet që kanë pësuar ulje drejtori Rama përmendi shpenzimet e derivateve që janë ulur për gati 9.000 euro, për dreka dhe darka ku gjatë 3 mujorit të vitit të kaluar janë harxhuar rreth 11.000 euro dhe këtë vit mbi 300 euro, në telefonin fikse është shënuar rënie e shpenzimeve për 1.000 euro më pak etj.
Krahas këtyre shifrave, këshilltarët e opozitës shfaqën pakënaqësi duke thënë se janë bërë kursime të panevojshme. Bekim Azizi nga PDK theksoi se është shënuar ulje e shpenzimeve, por kjo nënkupton mos punë të institucioneve ngase nuk është bërë asnjë investim kapital. Drejtori I Financave Ibrahim Rama, duke ju përgjigjur interesimeve të këshilltarëve është shprehur se vërejtjet janë të panevojshme sepse uljet e shpenzimeve janë nëpër gjitha drejtoritë.
Në fillim të mandatit tonë jemi deklaruar se nuk ka shpenzim pa zotim të mjeteve , andaj duhet të jemi të qartë se për shpenzimin e parasë publike kemi përgjegjësi. Lidhur me tatim taksat komunale që nga opozita u kritikua pushteti aktual për rënie të shkallës së arkëtimit për 25.000 euro, zv.kryetari I komunës Hasan Aliu u shpreh se kjo gjendje nuk do të lejohet, sepse vetë këshilltarët e kuvendit, ka prej atyre që kanë të pa shlyer borxhin.
“Ka këtu këshilltarët të Kuvendit komunal që ka borxh komunës për tatim taksa deri në 2.000 euro, andaj duhet të jemi realist që kur të kritikojmë edhe të pranojmë se jemi të pakujdesshëm. Ne nuk jemi të interesuar që të ndërtojmë të ardhmen duke vajtuar të kaluarën, andaj jemi të përkushtuar që të punojmë”, u shpreh Aliu. /2lonline/