Kuvendi komunal i Vitisë mbajti seancën e 11 të radhës
/2L ONLINE/ – Në seancën e njëmbëdhjetë të radhës së Kuvendit komunal të Vitisë që u mbajt sot, janë shqyrtuar disa pika me rëndësi, ndërkohë që fillimisht janë parashtruar pyetje nga këshilltarët për udhëheqjen komunale rreth projekteve që janë në realizim e sipër, për të cilat këshilltarët i njoftoi kryetari i komunës Sokol Haliti.
Pos pikave të parapara për këtë seancë që i prezantoi kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, nga grupet e këshilltarëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nisma-së, u propozua që të hyjë në rend dite një Deklaratë kundër formimit të Asociacionit të komunave serbe, si dhe në kundërshtim të demarkacionit të vijës kufitare.
Edhe pse me shumicë votash u arritë që kjo pikë të hyjë në rend dite, megjithatë pas debatit të zhvilluar nuk u arrit që të marrë shumicën e votave deklarata për kundërshtim të marrëveshjeve. Këshilltarët e LDK-së dhe PDK-së, mos votimin e kësaj pike e arsyetuan se kjo është nën kompetencën e Institucioneve qendrore dhe jo e nivelit lokal.
Ndërsa pikat tjera që u shqyrtuan dhe më pas u miratuan ishin: Propozim Rregullorja për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve të përkohshme në pronën publike dhe propozim vendimi për shpalljen e diskutimit publik. Draft Rregullorja për dhënien e lejeve mjedisore komunale (LMK) dhe propozim vendimi për shpalljen e diskutimit publik. Propozim vendimi për shpalljen e Zonës ekonomike në kuadër të ZK Budrikë e Epërme. Propozim Vendimi për fillimin e iniciativës dhe veprimeve përgatitore për aplikimin në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë për marrjen e pëlqimit për themelimin e zonës ekonomike në zonën kadastrale Budrikë e Epërme. Draft Strategjia komunale kundër dhunës në familje 2016-2018. Plani lokal i veprimit për Riintegrim të të Riatdhesuarve, si dhe Rregullorja mbi përshkrimin e detyrave të punës të punëtorëve arsimor, drejtorëve të shkollave, stafit administrativ dhe teknik si dhe organizimin e punës në institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Vitisë, e cila u miratua me vërejtjen që i paraqitën këshilltarët./2L ONLINE/
