/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot seancën e 10-të e rregullt. Në këtë seancë gjithsej janë shqyrtuar dhe votuar 9 pika të rëndit të ditës. Po ashtu gjatë ditës së sotme Kuvendi Komunal i Vitisë, konkretisht partitë politike dhe kandidatet e pavarur kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku ju kërkohet nivelit qendror që Komuna e Vitisë të ketë qasje në autostradën “ Arben Xhaferi” përmes fshatit Gërlicë.
Kuvendi Komunal i Vitisë ka nisur sot shqyrtimin e pikave të rendit të ditës duke debatuar rreth qasjes në autostradën “Arben Xhaferi” përmes fshatit Gërlicë, ku njëherit ky kuvend, konkretisht partitë politike dhe kandidatet e pavarur kanë dalë me një deklaratë të përbashkët me të cilët kërkohet nga niveli qendror që të sigurohet kyçja e qytetarëve vitias në autostradën Prishtinë-Shkup përmes fshatit Gërlicë.
Gjatë kësaj seance janë shqyrtuar Pasqyrat financiare të buxhetit Komunal për periudhën janar-shtator 2016 si dhe është votuar propozim vendimi për shpalljen në diskutim publik për propozim planin e mirëmbajtjes dhe planit investiv të hapësirave të hapura publike në Komunën e Vitisë.
Përkrahjen e shumicës së këshilltarëve ka gjetur edhe Propozim vendim për hapjen e shqyrtimit publik për planin rregullues të hollësishëm dhe vlerësimin e strategjisë mjedisore për zonën ekonomike me statusin park industrial që parashihet të ndërtohet në zonën kadastrale në Budrikë në sipërfaqe prej 15.5 hektarë. Për të njoftuar më shumë rreth këtij projekti, kompania e kontraktuar Vizion Projekt ka paraqitur edhe planin e hollësishëm ku ndër tjerash janë dhënë edhe tre skenarët e mundshme se si mund të realizohet ky projekt.
Gjithashtu me shumicë votash janë votuar edhe: Propozim vendim për shpalljen zonë me interes të përgjithshëm parcelat në zonën kadastrale në fshatin Sllatinë, të cilat parcela gjenden nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Propozim vendim për ndryshimin e vendimit për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Në fund të kësaj seance janë dhënë edhe dy informata njëra mbi raportin e auditorit për vitin 2015 e tjetra nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Viti./2L ONLINE/