Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton me shumicë votash të gjitha pikat e rendit të ditës
Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e shtatë të rregullt, në të cilën asamblistët kanë shqyrtuar dhe miratuar me shumicë votash të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe propozimet shtesë të paraqitura në fillim të seancës.
Mbledhja u drejtua nga kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija, drejtorët komunalë, anëtarët e Kuvendit, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe pjesëmarrës të tjerë.
Në fillim të seancës u miratua procesverbali i mbledhjes së kaluar, ndërsa më pas u zhvillua pjesa e pyetjeve të legjislativit drejtuar ekzekutivit.
Asamblistët shqyrtuan raportin gjashtëmujor të punës së kryetarit të Komunës për periudhën janar–qershor 2026, si dhe raportin financiar buxhetor për tremujorin e dytë të vitit.
Në rend dite u trajtuan edhe një sërë propozim-vendimesh që lidhen me çështje financiare, projekte infrastrukturore, administrimin e pronës komunale, emërime në komisione dhe mbështetje institucionale. Ndër to ishte edhe propozimi për buxhetimin e bashkëfinancimit për projektin e asfaltimit të rrugës “Shyt Vaku” – Degëzim, si dhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Kryqin e Kuq të Kosovës – Dega në Kamenicë.
Po ashtu, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi propozim-vendime që kanë të bëjnë me emërimin e nënkryetarit të Komunës për Komunitete, ndryshimin dhe plotësimin e përbërjes së komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet edukativo-arsimore, si dhe shfuqizimin e disa vendimeve të mëhershme.
Pas hapjes së mbledhjes, kryesuesja Arbnore Beqiraj-Fera propozoi edhe shtatë pika shtesë për rendin e ditës. Ato përfshinin rialokime dhe transfere buxhetore, ndryshimin e destinimit të një parcele nga zonë minerare në tokë industriale, dhënien e pëlqimeve paraprake për shfrytëzimin e pronave komunale pranë Qendrës Tregtare Zejtare, formimin e komisioneve për zbatimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, si dhe shfuqizimin e disa vendimeve të tjera.
Pas debatit të zhvilluar nga anëtarët e Kuvendit, të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe ato të shtuara, u miratuan me shumicë votash. /2LONLINE/
