DYLON

Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton Buxhetin Komunal për vitin 2027 në vlerë prej 15,329,208 euro

Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton Buxhetin Komunal për vitin 2027 në vlerë prej 15,329,208 euro
Avatar photo Redaksia

Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e tetë të rregullt ku ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i Buxhetit Komunal për vitin 2027, në vlerë prej 15,329,208 euro, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2028–2029.

Mbledhjen e hapi Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm në këtë mbledhje ishin Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, Nënkryetarja Arta Bajralija, asambleistët, drejtorët komunalë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të tjerë.

EkoHigjiena

Në rend dite për shqyrtim ishin këto pika:

1. Shqyrtimi dhe aprovimi i procesverbalit nga mbledhja e mbajtur më datë: 30.07.2026;

2. Pyetje legjislativi drejtuar ekzekutivit;

3. Propozim-vendim për miratimin e Buxhetit Komunal për vitin 2027 dhe parashikimet për vitet 2028-2029;

4. Propozim vendim për dhënien e pëlqimit paraprak për shfrytëzimin afatgjatë të pronave të paluajtshme të komunës – njësitë kadastrale P-71107041-01338-0, P-71107041-01339-0 dhe P-71107041-1336-1, në Zonën Kadastrale Kamenicë;

5. Propozim-vendim për formimin e Komisionit vlerësues për zbatimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme të komunës – njësitë kadastrale P-71107041-01338-0, P-71107041-01339-0 dhe P-71107041-1336-1, në Zonën Kadastrale Kamenicë;

6. Propozim vendim për shfuqizimin e vendimeve Sh.01.Nr.12089, Sh.01.Nr.17991, Sh.01.Nr.17985 dhe Sh.01 Nr.1798, Sh.01.Nr.17974, Sh.01 Nr.22376;

7. Propozim vendim për subvencionimin e transportit lidhës për fshatin Kopërnicë;

8. Të ndryshme.

Pas hapjes së mbledhjes Kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqiraj-Fera paraqiti rendin e ditës i cili u miratua nga asambleistët.

Seanca vazhdoi me shqyrtimin e pikës së tretë të rendit të ditës përkatësisht Propozim-vendimit për miratimin e Buxhetit Komunal për vitin 2027 dhe parashikimet për vitet 2028–2029.

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit, Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, tha se hartimi i buxhetit është bërë duke respektuar procedurat ligjore dhe duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve të evidentuara gjatë dëgjimeve buxhetore. Ai theksoi se pavarësisht kufizimeve financiare është synuar që prioritetet e qytetarëve të balancohen me mundësitë buxhetore të komunës duke përfshirë edhe projekte të reja kapitale.

“Buxheti që iu është ardh si projekt propozim për këtë seancë të Kuvendit Komunal është rezultati i punës profesionale të drejtorive dhe komunikimit të shëndosh me qytetarët e Komunës sonë. Lista e projekteve kapitale ka gjithsej 27 projekte. Nga ato janë 8 projekte të reja kapitale. Ndërsa kjo listë është shpërndarë ose ndërtu në dy komponentë, atë të mbulimit të obligimeve nga kontratat e lidhura tashmë nga Komuna e Kamenicës dhe komponenta e dytë është krijimi i kodeve të reja për financim të projekteve të reja”, ka thënë Kryetari Rahimaj.

Kryetari Rahimaj veçoi gjithashtu synimin për krijimin e transportit publik në Komunën e Kamenicës duke e cilësuar atë si një nga elementet që veçohet në projekt-buxhetin e vitit 2027. Ai tha se ky investim do të ndikonte në përmirësimin e komunikimit ndërmjet qytetit dhe fshatrave si dhe në zhvillimin ekonomik lokal.

Në përmbyllje të fjalimit, Kryetari Rahimaj kërkoi mbështetjen e asambleistëve për projekt-buxhetin.

Pas diskutimeve me 17 vota PËR u miratua Buxheti Komunal për vitin 2027, në vlerë prej 15,329,208 euro si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2028–2029.

Më pas seanca vazhdoi me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.

Në kuadër të pikës 8. Të ndryshme, Kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqiraj-Fera, paraqiti dy informata.

E para informatë kishte të bënte me procesin e vlerësimit të punimeve për dizajnimin e stemës së Komunës. Komisioni për vlerësimin e punimeve, në bazë të thirrjes dhe propozimeve të pranuara, ka konstatuar se nuk pati ndonjë aplikues që përmbushi të gjitha kriteret e thirrjes.

Asambleistët u pajtuan me këtë propozim.

Ndërsa informata e dytë ishte njoftimi për mënyrën e monitorimit të performancës së anëtarëve të Kuvendit, i cili do të realizohet nga konsorciumi i përbërë nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, Instituti GAP, ATRC dhe CBM. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.