DYLON

Kuvendi Komunal i Kamenicës mban dëgjim buxhetor për Draft-Buxhetin e vitit 2027

Kuvendi Komunal i Kamenicës mban dëgjim buxhetor për Draft-Buxhetin e vitit 2027
Avatar photo Redaksia

Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur dëgjim buxhetor me qëllim të prezantimit dhe diskutimit të Draft-Buxhetit të Komunës së Kamenicës për vitin 2027, si dhe parashikimeve buxhetore për periudhën 2027–2029.

Dëgjimin e hapi Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm ishin Drejtoresha e Financave dhe Buxhetit, Arditë Dërmaku, Drejtori i Investimeve Kapitale, Blerim Morina, zyrtari Selami Zylfiu nga kjo drejtori, zyrtarë komunalë dhe qytetarë të pranishëm.

EkoHigjiena

Në fjalën e saj Kryesuesja Beqiraj-Fera theksoi rëndësinë e këtij dëgjimi, duke bërë të ditur se ky është dëgjimi i fundit publik për Draft-Buxhetin para shqyrtimit dhe miratimit të tij në seancën e Kuvendit Komunal.

“Ky dëgjim buxhetor është një nga hapat e fundit para shqyrtimit dhe miratimit të Draft-Buxhetit për vitin 2027 në Kuvendin Komunal. Përmes këtyre dëgjimeve kemi synuar që qytetarët të kenë mundësinë të shprehin kërkesat dhe prioritetet e tyre, të cilat duhet të jenë pjesë e planifikimit dhe zhvillimit të Komunës sonë. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar me propozimet e tyre gjatë këtij procesi”, ka thënë ajo.

Më pas Drejtoresha e Financave dhe Buxhetit, Arditë Dërmaku, prezantoi në pika të shkurtra Draft-Buxhetin e Komunës së Kamenicës për vitin 2027.

Ajo tha se procesi i hartimit të buxhetit është zhvilluar përmes disa fazave të konsultimit dhe dëgjimeve me qytetarë.

“Ne fillimisht kemi pranuar dy qarkore buxhetore nga Ministria e Financave. Më pas kemi mbajtur dëgjimet buxhetore, 24 dëgjime gjithsej, pothuajse në të gjitha lokalitetet. Në këto dëgjime kemi pranuar kërkesat e qytetarëve, të cilat jemi munduar t’i inkorporojmë në buxhetin për vitin 2027. Buxheti për vitin 2027 do të jetë 15 milionë e 329 mijë e 208 euro”, ka thënë ajo.

Pas prezantimit, të pranishmëve iu dha mundësia për të parashtruar pyetje, sugjerime dhe kërkesa lidhur me Draft-Buxhetin. Meqenëse nuk pati pyetje apo diskutime të tjera dëgjimi buxhetor u përmbyll.   /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.