/2L ONLINE / – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në mbledhjen e radhës, të cilën e ka kryesuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar propozimin për shfuqizimin e Rregullores 01. nr. 469/020 për mbrojtjen e ambientit, planin e menaxhimit të mbeturinave për periudhën 2016-2020, rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, raportin e punës për vitin 2015 të Komisionit komunal të aksionarëve të NPL “Stacioni i Autobusëve”.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për lejimin e shfrytëzimit të pronës komunale për nevoja të xhamisë në lagjen e Balecit, vendimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për një periudhë prej 30 vitesh për ndërtimin e Shtëpisë për të moshuar, vendimin për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në lagjen “Arbëria-1”, vendimin për disa ndryshime dhe plotësime në buxhet, vendimin për ndarjen e bursave për studentë si dhe propozimin për plotësimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
Kuvendi ka përjashtuar sërish nga seanca këshilltarin Srgjan Mitroviq, për shkak se ai është zgjedhur në krye të strukturave paralele, kohë më parë dhe nuk është deklaruar nëse i njeh apo jo institucionet e Republikës së Kosovës.
Vendi i këshilltarit Izmi Zeka, i cili është tërhequr nga Kuvendi Komunal për shkak të angazhimeve në qeverinë e Kosovës, është plotësuar me kandidatin e radhës nga lista e PDK-së, Enver Shabani.
Anulimi i testit të arritshmërisë nga MASHT-i ka nxitur reagime edhe te këshilltarët e Kuvendit Komunal, të cilët, pa opozitën (PDK e VV), që e kishte lëshuar sallën më herët, për arsye të tjera, i kanë dhënë mbështetje Drejtorisë së Arsimit për të shprehur mospajtime me këtë vendim.
Kjo çështje është futur në rend dite për diskutim me propozimin e Arben Mehmetit, kryesues i Komitetit të Arsimit, i cili ka thënë se Komuna e Gjilanit nuk duhet t`i nënshtrohet vendimit të MASHT-it, sepse nuk është i bazuar në fakte.
Parimisht, ky propozim është përkrahur edhe nga Sahit Abazi, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, por ai ka thënë se kjo çështje duhet të procedohet pasi të vijë drejtori i arsimit dhe të jap sqarime se çka në të vërtetë ka ndodhur.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, i cili ndërkohë i është bashkëngjitur seancës, ka thënë se vendimi është politik e tendencioz, duke sqaruar se Gjilani edhe vjet ka qenë ndër komunat më të mira në Kosovë.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se MASHT-i nuk ka pasur arsye të anulojë testin, për shkak të suksesit të lartë që kanë treguar nxënësit, nëse në procesverbal nuk është konstatuar asnjë vërejtje apo lëshim nga monitoruesit e këtij procesi.
Përndryshe, seanca e sotme e Kuvendit Komunal është karakterizuar me tensione pozitë-opozitë, në debatin rreth pikave të rendit të ditës dhe çështjeve të tjera, të cilat janë ngritur përmes pyetjeve, nga Sahit Abazi, Bujar Nevzati, Nevzad Isufi, Riad Rashiti, Fehmi Sylejmani, Fatbardha Selmani, Shukrije Rapuca dhe të tjerë.
Pyetjet e tyre kishin të bënin me cilësinë e punimeve në disa rrugë, me rrugën hyrëse Gjilan-Bujanoc, anulimet e disa tenderëve, përzgjedhjen e lagjeve për ndërtimin e trotuareve, pastaj gjendjen në shëndetësi dhe ndarjen e subvencioneve për nevoja shëndetësore, hapjen e rrugës për disa familje në “Zabel…” dhe të tjera.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se besimin për të punuar, këtij koalicioni ia ka dhënë qytetari, në vitin 2013, ndërsa dikë tjetër e ka lënë në opozitë për të folur.
Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, i cili ka dhënë sqarime për disa akuza që ndaj tij i ka bërë Riad Rashiti (PDK), duke thënë se në politikë kam hyrë për t`i dhënë qytetarit, jo për t`i marrë atij. “Gjithçka që kam sot, e kam arritur me djersën time dhe të familjes sime”, ka thënë Kadriu, duke mohuar të ketë shpenzuar një cent të buxhetit, për dreka e darka, ndërkohë që, siç ka thënë ai, Rashiti nuk është kursyer aspak.
Ai e ka bërë edhe një krahasim mes dy qeverisjeve dhe ka theksuar se vetëm sivjet, në Gjilan do të investohen 26.5 milionë euro, ndërkaq PDK-ja, për dy mandate, ka investuar 13.7 milionë.
Rashiti qëndroi pas atyre që i ka thënë më herët, duke shtuar se të gjitha argumentet që i ka për Kadriun, do t`i paraqes në gjyq, kur të ballafaqohet me të. Ndërkaq, kritikat ndaj tij, i quajti akuza personale të Rexhep Kadriut.
Naser Korça, drejtor për Shërbime Publike, duke u përgjigjur në disa prej pyetjeve që kishin të bënin me sektorin që udhëheq ai, ka thënë se ekspertët kanë vlerësuar se rruga për Pogragjë ka një bazë stabile dhe trashësia e asfaltit prej 4 cm, është e mjaftueshme. Ai ka mohuar të jetë devijuar projekti i rrugës hyrëse Gjilan-Bujanoc, ndërsa sa u përket trotuareve, Korça ka thënë se nuk qëndron vërejtja që ka favorizime të një lagje, sepse nuk ka lagje në Gjilan ku banojnë anëtarë të vetëm një subjekti politik. Ai ka dhënë përgjigje dhe në pyetjet tjera.
Salih Kqiku, shef i Departamentit të Prokurimit, ka thënë se opozita po flet pa fakte, sepse nuk është e vërtetë që janë anuluar tre tenderë dhe ka dhënë sqarime për të gjitha çështjet e ngritura. Në disa pyetej tjera, përgjigje kanë dhënë Ramiz Ramadani, drejtor i Bujqësisë, Nexhat Hajrullahu, drejtor i Shëndetësisë dhe drejtorë të tjerë.
Sa i përket planit për menaxhimin e mbeturinave si dhe rregullores për menaxhimin e mbeturinave, Isa Agushi, kryesues i Komitetit të Shërbimeve Publike, ka thënë se të dyja kanë kaluar procedurat e nevojshme, përfshirë edhe dëgjimin publik. Sqarime kanë dhënë edhe Avdyl Aliu e Nevzad Rushiti (LDK). Plani dhe rregullorja janë hartuar në bashkëpunim me GIZ-in dhe janë ndër dokumentet më të mira që ka ndonjë komunë.
Raportin e punës për vitin 2015 të Komisionit komunal të aksionarëve të NPL “Stacioni i Autobusëve” e ka paraqitur Avdyl Jerliu, kryesues i Komisionit të Aksionarëve.
Arsyet për lejimin e shfrytëzimit të pronës komunale për nevoja të xhamisë në lagjen e Balecit si dhe për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për një periudhë prej 30 vitesh, për ndërtimin e Shtëpisë për të moshuar, i kanë dhënë Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, kurse sa i përket kërkesës për ndarjen e një lokacioni për një çerdhe në lagjen “Arbëria 1”, Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në Urbanizëm, tha se Komiteti është përcaktuar për një hapësirë që ka qenë e planifikuar për këtë qëllim.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, sqaroi se me donatorin janë dakorduar që t`i jepet një hapësirë brenda oborrit të shkollës, meqë është planifikuar ndërtimi i një çerdhe me kapacitet të vogël dhe nuk është e nevojshme të zihet një hapësirë prej 29 ari, sa ka rekomanduar Komiteti.
Arsyetimi i drejtorit Musa ka hasur në përkrahje të Kuvendit Komunal, i cili ka votuar për ndarjen e hapësirës brenda oborrit të shkollës.
Ndryshimet dhe plotësimet në buxhet, i ka arsyetuar Zijadin Maliqi, drejtor i Financave, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për ndryshimin e emërimit të projektit nga “Rregullimi i lumit Mirusha” në “Rregullimi i kanalizimit të ujërave të zeza, lumit Stanishorka dhe lumit Mirusha”, ndërsa shuma e planifikuar mbetet e njëjtë.
Këshilltarët e PDK-së dhe VV-së e kanë lëshuar seancën në pjesën e dytë të saj, me arsyetim se nuk po iu jepet fjala me kohë dhe, siç kanë thënë ata, gjuhës së ashpër që po përdoret në Kuvend Komunal.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunajku-Rexhepi ka thënë se opozitës i ka lejuar hapësirë shumë më tepër se sa parasheh rregullorja e punës, duke nënvizuar se vetëm në këtë seancë ata kanë diskutuar dy orë e gjysmë rreth rendit të ditës, madje kanë bërë edhe marketing politik dhe kanë folur edhe për zgjedhjet e ardhshme./2L ONLINE/