Kuvendi Komunal i Gjilanit një komedi e keqe!

Kuvendi Komunal i Gjilanit një komedi e keqe!

Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, mund të thuhet se përbën një dëshmi të joseriozitetit të të zgjedhurve të popullit, pjesës dërmuese të tyre, të një modeli prej politikani, joserioz, fjalaman, të mërzitshëm, tendencioz, moskokëçarës, i papërgjegjshëm për fjalën publike…, e çka jo tjetër, duke përfshirë madje edhe ata që nuk flasin pothuajse kurrë, për ta bërë kështu këtë organ më të lartë vendimmarrës, si një komedi të keqe me të cilën as nuk t’qeshet!

Ndonëse, seanca ishte e paraparë të fillojë në ora 10:00, ajo u shty për gjysmë ore. (U shfrytëzua për takimin e kryesueses së Kuvendit dhe shefave të grupeve politike me Qëndresa Sadriun, deputete në Parlamentin e Kantonit të Zurich-ut, njëherësh kryesuese e Kuvendit të Komunës Glattbrug. e cila mori po ashtu pjesë në seancë), ndërsa diskutimet e anëtarëve të Kuvendit që zgjatën deri në ora 13 e 40 minuta, ishin të tilla, sa që në fund u miratua vetëm rendi i ditës, për të shkuar në pauzë të drekës, me shpresën për t’iu kthyer më pas pikave të rendit të ditës, sipas rendit të miratuar të punës.

Hiq fjalën përshëndetëse, në fillim të seancës të mysafires, Qëndresa Sadriu dhe më pas edhe të betimit të anëtarëve të rinj, pjesa tjetër e diskutimeve më se rreth tri orëve, ishte e rezervuar për tollovi, për fjalë rend e pa rend, me vend e pavend, me rregullore e në kundërshti të saj, me leje e pa leje, me ton të butë e të lartë, me ndërskamsa, me rrotulla…., derisa si duket, disa i kapi uria dhe e gjetën “shpëtimin” te pauza e drekës.

Ndërsa, si pjesë më komike që mund të nxjerrim nga debatuesit, mund të thuhet se ishte pjesa kur ia rikujtonin njëri tjetrit, se janë zgjedhur me votën e sovranit, përfaqësojnë interesat e qytetarëve, janë aty për ta…, e të ngjashme!

Mendojë që është koha e fundit për të reflektuar edhe politikanët edhe sovrani, të parët, të jenë të përgjegjshëm, duke ngritur moralin politikë, të dytët, për ta ndjerë realisht peshën e madhe që ka vota e tyre dhe për ta jetësuar fjalinë e urtë popullore “mendo tri herë, vepro (voto) njëherë”. /M.H/2LONLINE/ 

KOMENTE