Kuvendi i të Rinjëve të Kosovës sot konstituohet edhe në Gjilan
/2L ONLINE/ Kuvendi i të Rinjëve të Kosovës ka zgjedhur 35 asambleistët edhe në Gjilan dhe me këtë rast edhe zyrtarisht është bërë themelimi i këtij organi rinor në Komunën tonë. Që në fillim mbështetja iu rikonfirmua nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku, nënkryetari Rexhep Kadriu, por edhe të pranishmit e tjerë të cilët ishin në këtë ngjarje me rëndësi për rininë.
Me këtë rast kryesuesja Bunjaku – Rexhepi ka thënë se Komuna e Gjilanit, e me theks të veçantë Kuvendi i Komunës, i ka dhënë mbështetje Kuvendit të të Rinjëve të Kosovës me të gjitha kapacitetet.
“Kuvendi i Komunës së Gjilanit, i jep mbështetje të fuqishme këtij organi rinor, në mënyrë që aktivitetet dhe angazhimet për rininë, pse mos të kenë edhe Kuvendin e tyre që është me shumë rëndësi në organizimin dhe lëvizjen përpara të qytetarëve tanë që shumicë e madhe i takojnë pikërisht rinisë. Tash e tutje do të jetë një adresë e se ku mund të paraqiten idetë, problemet apo edhe nismat që janë në shërbim të rinisë”, tha ajo ndër të tjerash.
Kurse në fjalën e tij, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, ka thënë se roli i Kuvendit të të Rinjëve të Kosovës, ka qëllim avancimin e proceseve në vendimmarrje për çështjet rinore.
“Ky organ që po themelohet sot në komunën tonë, do të jetë vendi ku të rinjtë e Gjilani paraqesin problemet, sfidat dhe idetë që ballafaqohen për çdo ditë. Puna në këtë Asamble do të jetë adresë e jetësimit të ideve dhe kreativitetit dhe gjithashtu edhe përmirësimit të kushteve të studentëve, të sportistëve dhe të rinjëve të shumtë të Gjilanit”, ka thënë ai në emër të kryetarit Lutfi Haziri, i cili edhe ofron mbështetjen në të gjitha aktivitetet që janë për të mirën e të rinjëve të Gjilanit.
Kurse, kryetarja e Kuvendit të të Rinjëve të Kosovës, Deniza Limani, në fjalën e saj ka thënë se puna e mirë që është zhvilluar në KRK, është bërë falë aktiviteteve të përkushtuara që kanë bërë në të gjitha komunat, Kuvendet Rinore dhe përfaqësuesit e tyre.
“Kemi zhvilluar aktivitete nga më të ndryshmet dhe gjithnjë në interes të të rinjëve. Jemi gjithnjë pranë problemeve rinore dhe jemi gjithashtu këtu për të zgjidhur dhe avancuar punën e tuaj. Do të jemi zëri mbështetës në të gjitha zhvillimet rinore që do të ndodhin në Gjilan e Kosovë”, tha Limani.
Kuvendi është duke vazhduar punimet dhe pritet që sot të zgjidhet kryetari i Kuvendit të të Rinjëve në Gjilan, me asamblistët dhe strukturat tjera që janë hierarki e këtij Kuvendi./2L ONLINE/
